Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni virtual i Rusisë në Ukrainë, si funksionon rrjeti i lajmeve të rreme e dezinformatave


Në fillim të prillit, disa banorë të qytetit ukrainas Kharkiv morën një sërë mesazhesh rrëqethëse nga zyrtarë qeveritarë, duke u thënë atyre të largoheshin nga qyteti përpara se forcat ruse ta rrethonin atë.

“Për shkak të kërcënimit të rrethimit nga armiku, ne i bëjmë thirrje popullatës civile të Kharkiv-it të largohet nga qyteti deri më 22 prill,” tha një sinjalizues, i cili mbante logon e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës dhe tregonte rrugët e sigurta prej nga banorët mund të arratiseshin përmes një infografiku të përpunuar në hollësitë më të dobla.

E gjitha ishte e rreme. Volodimir Tymoshko e dinte menjëherë. Ai është shefi i policisë në rajonin e Kharkiv dhe do duhet të kishte qenë një nga të parët që do ishte informuar për ndonjë plan zyrtar evakuimi.

“Banorët filluan t’i merrnin këto njoftime në masë,” tha 50-vjeçari për Reuters ndërsa tregoi një pamje njoftimit në cellular që iu dërgua banorëve ndërsa trupat ruse po mblidheshin në kufirin që ndodhet vetëm 30 km larg.

“Ky është një operacion psikologjik, shkakton panik. Çfarë do mendonte një qytetar kur merr një mesazh të tillë?”

Dezinformimi dhe propaganda, që janë prej shumë kohë ndër shtyllat e luftës, janë shtuar në mënyrë dixhitale në betejën për Ukrainën, lufta më e madhe që bota ka parë që nga prezantimit i telefonave inteligjentë dhe mediave sociale.

Tymoshko tha se ai mori rreth 10 mesazhe të ngjashme përmes mesazheve SMS dhe aplikacionit Telegram në prill dhe fillim të majit, pak javë para sulmit të Rusisë në Ukrainën verilindore që filloi më 10 maj dhe hapi një front të ri.

Një zyrtar ukrainas i sigurisë, i cili kërkoi të fliste në kushte anonimiteti, tha se rusët shpesh dërgonin një numër të madh mesazhesh nga pajisjet e lidhura me një dron zbulimi me rreze të gjatë veprimi Orlan-10, që mund të depërtojë dhjetëra kilometra në hapësirën ajrore të Ukrainës.

Pajisjet, të njohura si sistemet Leer-3, imitojnë stacionet bazë të antenave celulare me të cilat telefonat lidhen automatikisht në kërkim të mbulimit, shtoi ai.

Breshëria telefonike u shoqërua nga një zhurmë në mediat sociale, ndërsa trupat ruse përparuan në Kharkiv, sipas Andriy Kovalenko, kreu i Qendrës së Ukrainës për Kundër Dezinformimit (CCD), një degë e këshillit të sigurisë kombëtare.

Numri mesatar i postimeve në mediat sociale të klasifikuara si dezinformata rreth luftës nga autoritetet ukrainase u rrit në mbi 2,500 në ditë kur ofensiva e Kharkiv filloi në maj, nga 200 në ditë në muajin mars, tregojnë të dhënat e përpiluara nga CCD.

Shefi i CCD i tha Reuters se inteligjenca ukrainase kishte vlerësuar se fushatat e dezinformimit ishin kryer kryesisht nga shërbimi i sigurisë FSB i Rusisë dhe agjencia e inteligjencës ushtarake, e njohur zakonisht si GRU.

Ministria e Jashtme e Rusisë dhe FSB nuk iu përgjigjën një kërkese për koment mbi pohimet e Ukrainës, ndërsa Reuters nuk ishte në gjendje të kontaktonte GRU.

Moska ka akuzuar Ukrainën dhe Perëndimin se kanë nisur një luftë të sofistikuar informacioni kundër Rusisë, duke përdorur mediat kryesore, marrëdhëniet me publikun dhe teknologjinë e Perëndimit për të mbjellë narrativa të rreme dhe të njëanshme rreth Rusisë dhe luftës.

Zyrtari ukrainas i sigurisë pranoi se vendi i tij përdorte fushata në internet në një përpjekje për të nxitur ndjenjën kundër luftës në mesin e popullatës ruse, megjithëse ai e karakterizoi këtë përpjekje si “komunikim strategjik” për të përhapur informacion të saktë rreth luftës.

Lufta virtuale

Reuters intervistoi nëntë persona me njohuri për luftën e informacionit dhe dezinformimit që po zhvillohej paralelisht me operacionet në fushën e betejës, duke përfshirë zyrtarë ukrainas, gjurmues të dezinformatave dhe analistët e sigurisë.

Zyrtari ukrainas i sigurisë, i cili kërkoi të fliste në kushte anonimiteti, tha se që nga pushtimi në shkallë të plotë i vendit  në shkurt 2022, agjencitë e inteligjencës kishin mbyllur 86 stacione ruse të luftës virtuale të vendosura në Ukrainë, të cilat kontrollonin 3 milionë llogari kolektive të mediave sociale me një audiencë të vlerësuar prej 12 milionë ndjekësish.

Objektet e tilla janë dhoma të mbushura me pajisje të specializuara kompjuterike që mund të regjistrojnë qindra llogari të rreme çdo ditë në rrjetet e mediave sociale për të nxjerrë informacion të rremë, shtoi zyrtari, duke cituar një të tillë që u gjet nga shërbimet e sigurisë në qytetin Vinnytsia në Ukrainën qendrore vitin e kaluar.

Kovalenko tha se aktualisht, burimet më të rëndësishme të dezinformatave ruse në internet ishin TikTok në Ukrainë dhe Telegram në Evropë. Të dyja përdoren gjerësisht në Ukrainë.

Ai tha se në fillim të këtij viti, TikTok kishte mbyllur rreth 30 nga 90 llogaritë që Ukraina i kishte shënuar si përhapës të dezinformatave të lidhura me Rusinë, duke shtuar se llogari të reja shpesh shfaqen për të zëvendësuar të hequrat.

TikTok i tha Reuters se udhëzimet e tij ndalonin përmbajtje të rreme ose mashtruese, duke shtuar se kishte mbyllur 13 rrjete të fshehta që operonin nga Rusia në vitet e fundit.

“Ne ndalojmë dhe punojmë vazhdimisht për të penguar përpjekjet për t’u përfshirë në operacione të ndikimit të fshehtë, duke manipuluar platformën tonë ose duke mashtruar në mënyrë të dëmshme komunitetin tonë,” tha një zëdhënës.

Rrjetet e dezinformimit janë grupe llogarish të kontrolluara nga i njëjti ent dhe shpesh përdoren për të nxitur një narrativë të bashkërenduar.

Telegram tha se po zhvillonte një mjet për të shtuar informacione të verifikuara në postime.

“Ne në Telegram besojmë se mënyra më e mirë për të luftuar dezinformimin nuk është përmes censurës, por me qasje të lehtë në informacionin e verifikuar”, shtoi një zëdhënës.

Kryetari i Bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov tha për Reuters se rusët po përpiqeshin të krijonin panik dhe mosbesim, duke përmendur një shembull të postimeve në mediat sociale që pretendonin se rruga kryesore për në Kiev po riasfaltohej në mënyrë që kryebashkiaku të mund të ikte më shpejt kur të vinin rusët, diçka që ai e hodhi poshtë si gënjeshtër.

“Ata po përpiqen të frikësojnë popullsinë në mënyrë që njerëzit të ndjehen të frikësuar dhe të largohen nga qyteti,” tha ai në një intervistë në Kharkiv në fund të majit.

Në atë kohë, vijat e frontit në verilindje ishin stabilizuar rreth 20 km nga skaji i qytetit pasi ofensiva ruse fillimisht kishte fituar territor në veri përpara se të mposhtej nga forcat e përforcuara ukrainase.

Maria Avdeeva, një analiste sigurie me bazë në Kharkiv, e cila përqendrohet në dezinformimin rus, i tregoi Reuters një hartë infografike, me emblemën shtetërore të Ukrainës, të postuar në Facebook në fillim të prillit – afërsisht në të njëjtën kohë kur shefit të policisë Tymoshko iu dërgua një hartë e ndryshme evakuimi në një mesazh të drejtpërdrejtë në Telegram.

E pashqetësuar nga një shpërthim i fortë nga një bombë disa kilometra larg, ajo shpjegoi se si harta dhe teksti shoqërues përfshinin mbyllje të rreme rrugësh dhe pretendime se së shpejti priten sulme me raketa në zona të caktuara përreth qytetit.

“Microtargeting” – që analizon të dhënat në internet të njerëzve për të synuar individë dhe audienca të veçanta me mesazhe specifike, njësoj si reklamimi që synon kategori të veçanta – po ndërlikon detyrën e CCD për të gjurmuar fushatat e ndikimit dhe për t’iu kundërvënë narrativave të rreme, tha Kovalenko.

“Kjo veprimtari është veçanërisht shumë taktike,” tha John Hultquist, kryeanalist në firmën amerikane të sigurisë kibernetike Mandiant, duke iu referuar fushatave dezinformuese ruse në Ukrainë.

“Ne kemi parë të shënjestrohen me informacione të rreme deri te ushtarët ukrainas në llogore”.

Sulmi në kullën kryesore të televizionit

Ukrainasit janë veçanërisht të prekshëm ndaj dezinformatave dixhitale; më shumë se tre të katërtat e popullsisë i marrin lajmet e tyre nga mediat sociale, shumë më tepër se çdo burim tjetër informacioni, sipas një studimi të porositur nga USAid në 2023.

Kjo është dukshëm më e lartë se në cilindo nga 24 vendet evropiane të anketuara nga një raport i Institutit Reuters për Studimin e Gazetarisë në vitin 2024, i cili mesatarisht ishte 44%.

Në fund të prillit, ndërsa forcat e Moskës u grumbulluan në kufirin pranë Kharkivit, një sulm ajror rus rrëzoi kullën kryesore televizive të Kharkiv, duke penguar qasjen e qytetarëve te informacioni.

Pamjet dramatike të siguruara nga Reuters treguan se shtylla kryesore e kullës televizive u shkëput dhe ra në tokë.

Ndërsa sulma ndaj Kharkivit çoi në një rritje të konsiderueshme të veprimtarisë së dezinformimit, sipas njerëzve të intervistuar ka pasur fushata të ngjashme ruse gjatë rrjedhës së luftës.

Kreu i CCD nënvizoi një fushatë ruse në tetor 2023 që synonte të nxiste idenë se Ukraina po përballej me një dimër të ashpër dhe humbje në luftë.

Osavul, një kompani ukrainase e gjurmimit të dezinformatave, i tregoi Reuters të dhënat e saj për këtë fushatë, të cilën e quajti “Dimri i zi”. Ai numëroi 914 mesazhe të postuara nga 549 burime, të cilat kolektivisht morën afro 25 milionë shikime.

Megjithatë, sipas Kovalenkos, shkalla e madhe dhe shpeshtësia e operacioneve të ndikimit rus nënkuptonte se ukrainasit po bëheshin më dyshues ndaj informacionit që merrnin, duke e zbehur ndikimin e tyre.

Shtytja e dezinformimit gjatë përparimit fillestar të Rusisë drejt Kharkivit në fillim të pushtimit në vitin 2022 – kur ata u afruan shumë më afër qytetit – kontribuoi në panikun dhe tronditjen që çoi në largimin e qindra mijëra banorëve, thanë disa zyrtarë dhe ekspertë.

Këtë herë, vetëm një numër i vogël banorësh u largua nga Kharkiv, edhe pse sasia e mesazheve dezinformative që synonin qytetarët ishte dyfishi i nivelit të marsit 2022, sipas të dhënave të CCD.

Pavarësisht nga raketat dhe bombat që pothuajse bien çdo ditë mbi qytet dhe sulmet që u shtuan këtë maj – 1.3 milionë  banorë janë ende në qytet, sipas kryebashkiakut të Kharkiv, Terekhov, afërsisht i njëjti numër si përpara sulmit të fundit ushtarak të Rusisë në rajon.

Mungesa e panikut pasqyron gjithashtu familjaritetin në rritje të ukrainasve për të jetuar nën sulmet ruse.

Reuters foli me gati dy duzina banorë të Kharkivit në gjysmën e dytë të majit, kur qyteti goditej nga disa bomba ose raketa në ditë.

Shumica thanë se nuk ndjenin dëshirë për t’u larguar nga rreziku, duke thënë se ishin mësuar me të. Disa thanë se kishin ndaluar së ndjekuri lajmet.

“Ky është një mekanizëm psikologjik, ne mësohemi me rrezikun,” tha psikologia nga Kharkiv, Iryna Markevych.

Në fund të majit, korrespondentët e Reuters u strukën në tokë për t’u mbuluar kur dëgjuan zhurmën e një bombe që shponte ajrin. Në dukje të patrazuara, nënat me karroca vijuan të shëtisnin nëpër park kurse të tjerë laheshin në një shatërvan publik.

Yulia Oleshko, 55 vjeç, një dado që shtynte një karrocë në një park qendror në Kharkiv, tha se mënyra më e mirë për të kapërcyer makthin ishte thjesht të përqendroheshe te jeta e përditshme.

“Dje po mendoja: të ecësh përreth Kharkivit është si të ecësh rreth një fushe të minuar…por përpiqem të mos ndalem në këto mendime frike, përndryshe mund të biesh lehtësisht në depresion,” tha ajo.

“Ne abstragojmë veten, përndryshe nuk do mbijetojmë.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani