Zyrtarët e lartë palestinezë, përfshirë presidentin Mahmud Abbas, dënuan të mërkurën vrasjen e kreut të byrosë politike të grupit Hamas, Ismail Haniyeh, duke e quajtur atë një “zhvillim të rrezikshëm”.
Në një deklaratë të cituar nga agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa, Presidenti Mahmud Abbas dënoi të mërkurën ashpër vrasjen e liderit të Hamasit, duke e quajtur atë “një akt frikacak dhe një zhvillim të rrezikshëm”.
Abbas i bëri thirrje popullit palestinez “të bashkohet, të jetë i durueshëm dhe i palëkundur përballë pushtimit izraelit”.
Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Husein al-Sheikh, dënoi gjithashtu vrasjen e Haniyeh, përcjell Anadolu.
Ai tha se vrasja e tij e shtyn popullin palestinez “të qëndrojë më i palëkundur përballë okupimit (izraelit) dhe domosdoshmërisë për të arritur unitetin e forcave dhe fraksioneve palestineze”.
Mustafa Barghouti, kreu i partisë së Iniciativës Kombëtare Palestineze, vajtoi Haniyeh dhe dënoi Izraelin për kryerjen e një “krimi të tillë të tmerrshëm”.
“Populli palestinez humbi sot një udhëheqës trim patriot, i njohur për integritetin dhe drejtësinë e tij dhe për kujdesin e tij të ndershëm ndaj unitetit kombëtar”, tha Barghouti në një deklaratë.
Lëvizja Fatah, e udhëhequr nga presidenti Abbas, gjithashtu dënoi vrasjen e Haniyeh, duke e cilësuar atë si një akt frikacak.
Grupi i rezistencës palestineze Hamas njoftoi të mërkurën herët se Haniyeh u vra në një sulm ajror izraelit në rezidencën e tij në kryeqytetin iranian Teheran.
Ndërkohë Izraeli nuk ka bërë asnjë njoftim të menjëhershëm për vrasjen.