Në një deklaratë të mërkurën në mëngjes, Hamasi njoftoi se Ismail Haniyeh ishte vrarë nga një sulm izraelit gjatë një vizite në Teheran, ku po merrte pjesë në inaugurimin e Presidentit Masoud Pezeshkian.
Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit gjithashtu ka konfirmuar vdekjen e tij. Megjithatë, ushtria izraelite dhe zyrtarët e lartë të qeverisë izraelite nuk kanë dhënë ende një përgjigje në lidhje me këto pretendime.
Vdekja e Haniyeh ka ndodhur vetëm një orë pasi Izraeli pretendoi se kishte vrarë Fuad Shukur, komandantin e lartë të Hezbollahut, në një sulm ajror.
Ky sulm u krye si hakmarrje për një sulm me raketa në Lartësitë Golan të pushtuara nga Izraeli, që ndodhi gjatë fundjavës dhe që shkaktoi vdekjen e të paktën 12 njerëzve, kryesisht fëmijë.
Hezbollah mohoi çdo përfshirje në atë sulm dhe ende nuk ka konfirmuar vdekjen e Shukur në sulmin në Bejrut.
Këto ngjarje kanë rritur ndjeshëm tensionet në kufirin verior të Izraelit dhe kanë nxitur frikën për një luftë të re në rajon.
Disa figura të larta të Hamasit besohet se janë vrarë nga Izraeli që atëherë duke përfshirë zëvendës udhëheqësin politik Saleh al-Arouri dhe Marwan Issa, zëvendëskomandantin e krahut ushtarak të Hamasit.
Tre djemtë e Ismail Haniyeh dhe katër nga nipërit e tij u vranë gjithashtu në një sulm ajror izraelit në Gaza në prill./BBC