Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli konfirmon vrasjen në korrik të shefit ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif


Ushtria izraelite thotë se ka konfirmuar se shefi ushtarak i Hamasit, Mohammed Deif u vra në një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës muajin e kaluar.

Deif ishte në shënjestër në sulmin në një kompleks në zonën Khan Younis më 13 korrik, por Hamasi ende nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij.

Izraeli thotë se Deif ishte një nga figurat përgjegjëse për planifikimin e sulmeve të 7 tetorit në Izraelin jugor, ku 1200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng, sipas BBC.

Të mërkurën, udhëheqësi politik i Hamasit, Ismael Haniyeh u vra gjatë një vizite në Iran, por Izraeli nuk e ka komentuar drejtpërdrejt vdekjen e tij.

Në një deklaratë të enjten, ushtria izraelite tha se “pas një vlerësimi të inteligjencës, mund të konfirmohet se Mohammed Deif u eliminua” në sulmin e 13 korrikut.

Autoritetet shëndetësore të Gazës të drejtuara nga Hamasi thanë në atë kohë se sulmi ajror kishte vrarë më shumë se 90 njerëz, por mohuan që Deif të ishte në mesin e të vdekurve.

Deif shihej gjerësisht si zyrtari i dytë i Hamasit në Gaza, pas Yahya Sinwar, udhëheqësi i grupit në territor.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se vdekja e Deif është “një moment historik i rëndësishëm” në çmontimin e Hamasit.

“Ky operacion pasqyron faktin se Hamasi po shpërbëhet dhe se terroristët e Hamasit ose mund të dorëzohen ose do të eliminohen,” shtoi ai.