Autoritetet shqiptare organizuan një operacion për goditjen e grupit kriminal të udhëhequr nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja nga Elbasani.
Operacioni është nisur nga inteligjenca e siguruar nga autoritet evropiane, (Europol) në platformat SKY ECC dhe i përcjellë në Shqipëri për SPAK-un i cili nisi hetimet ndaj grupit.
Pas hetimeve të SPAK-ut grupit të Çopjave u atribuohen të paktën 4 atentate me 6 të vrarë, 3 vrasje të mbetura në tentativë, 14 të porositura, dhe grabitja e 10 milionë eurove në Rinas në prillin e vitit 2019.
Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas kërkesës së SPAK-ut më 29 korrik lëshoi 33 urdhërarreste nga të cilat gjatë operacionit “Plumbi i Artë 2” të zhvilluar më 31 korrik 2024 në disa qytete u arrit të ekzekutoheshin 13, ndërsa dy të tjerë gjenden të arrestuar jashtë Shqipërisë, 20 të tjerë arritën të largoheshin megjithëse nga informacionet, ishin që një pjese e tyre ndodheshin brenda vendit. Vetë Franc Çopja ndodhet i arrestuar në Belgjikë, ndërsa Hajdar Çopja ndodhet i arrestuar në Dubai.
SPAK ka zbuluar dhe si vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja e nisën aktivitetin e tyre kriminal vreth viteve 2006 – 2007, duke shpërndarë në sasi të vogla kokaine, derisa arritën të zgjeroheshin edhe ne vende të tjera të Evropës e jo vetëm dhe një nga grupet më të rrezikshme kriminale në Elbasan.
Për operacionin ndaj Çopjave ka reaguar edhe Europol që thotë se ishte bashkëpunim i tyre me autoritetet ligjzbatuese belge, shqiptare e franceze.
Grupi kriminal ishte i përfshirë në aktivitete të shumta të paligjshme, duke përfshirë vrasje me pagesë dhe pastrim parash në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Pastrimi i parave kryhej përmes transaksioneve komplekse me kriptomonedha.
Europol luajti një rol kyç në zbulimin e mesazheve të koduara në aplikacionin Sky ECC, informacione të cilat u kaluan tek SPAK. Policia belge, franceze dhe holandeze gjithashtu morën pjesë në këtë operacion ndërkombëtar.
“Autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me Europolin dhe organet ligjzbatuese belge, holandeze dhe franceze, kanë përfunduar me sukses një operacion të madh, duke arrestuar 15 anëtarë të dyshuar të një grupi famëkeq të krimit të organizuar shqiptar nën hetim në juridiksione të shumta.
Përpjekja e koordinuar, e quajtur Operacioni GORGON, kulmoi me një seri bastisjesh të kryera në Tiranë, Shqipëri, më 31 korrik kundër figurave kyçe brenda rrjetit kriminal. Për pasojë u sekuestruan pasuri të konsiderueshme, përfshirë pasuri të paluajtshme dhe 1 milion euro cash”-thuhet ndër të tjera në reagimin e Europol
Nga vrasjet me pagesë deri te pastrimi kompleks i parave
Ky grup i profilit të lartë shqiptar i krimit të organizuar ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike, me degë që vepronin ndërkombëtarisht. Banda përbëhej kryesisht nga familjarë dhe bashkëpunëtorë nga e njëjta zonë në Shqipëri. Anëtarët e grupit dyshohet se janë përgjegjës për vrasje të shumta me pagesë, trafik në shkallë të gjerë droge dhe pastrim të fitimeve të paligjshme nëpërmjet transaksioneve komplekse të kriptomonedhave.
Mes të arrestuarve është edhe një pastrues parash me qendër në Tiranë, i cili u ofronte shërbimet e tij disa grupeve të tjera kriminale të nivelit të lartë të angazhuar në nivel ndërkombëtar në vrasje, korrupsion dhe trafik në shkallë të gjerë droge, ndër aktivitete të tjera kriminale.
Hetimi zbuloi gjithashtu sesi kreu i këtij grupi të krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tij urdhëruan vrasjen e disa anëtarëve të grupeve të tjera kriminale shqiptare duke kontraktuar vrasës. Të paktën shtatë vrasje i janë atribuar këtij grupi specifik kriminal midis viteve 2019 dhe 2020, një numër prej të cilave janë kryer jashtë Shqipërisë.
Aktiviteti kriminal i Çopjave
Hetimet e prokurorisë speciale zbuluan se Çopjat për të kontrolluar dhe zotëruar tregun në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve, nëpërmjet vrasjeve me pagesë të personave, të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë.
Vrasja më e bujshme është ajo e 29 dhjetorit 2018, e njohur si “Masakra e Bradasheshit”, kur u eliminua Endrit Alibej dhe 2 persona të tjerë, vrasje e cila u pasua me urdhërimin dhe të eliminimit të disa personave të afërm të tij.
4 tentativa vrasjeje ishin në drejtim të vëllait të Endrit Elibejt, bashkëpunëtorit të drejtësisë Erion Alibej por që të gjitha dështuan nga nëntori 2019 në nëntor 2020. Ndërkohë që në 2 raste të tjera ka qenë i penduari tjetër i drejtësisë Nuredin Dumani që i ka shpëtuar atentateve.
Vëllezërit Çopja janë autorë edhe të vrasjes së Klevin Bahos dhe plagosjes e vëllait të tij Aldo (Aleksandër) Baho” në vitin .2019. Gjithashtu SPAKA ka vertetuar se ata janë autorë edhe te vrasjes se Andi Zylyfi dhe plagosjes së Ardit Uruçi, 13 dhjetorin 2019, në fshatin Përparim në Peqin, si dhe vrasjen e Klevis Kapllanit shtatorin e vitit 2020, në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë. Ndërsa kanë mbetur në tentativë vrasjet e Kei Pikut 16 Janarin e vitit 2020 ne Elbasan; Irfan Azizit, nëntorin e vitit 2020, në Urë Vajgurore dhe një punonjësi policie marsin e vitit 2018, në Fier.
Organizata ka arritur të rekrutojë edhe dy punonjës të policisë së shtetit dhe një punonjëse në gjykatën e Elbasanit që u jepte informacione sekrete.
Sekuestrimi i pasurive
Për të zbuluar pasurinë e përfituar nga aktiviteti kriminal SPAK ka ushtruar kontrolle në tetë ambiente të ndryshme, duke sekuestruar mbi 1 milion euro në para të gatshme, përfshirë valuta të ndryshme dhe lekë. Janë vendosur gjithashtu sekuestro preventive mbi 42 pasuri, përfshirë 38 pasuri të paluajtshme si apartamente, vila, tokë arë, dhe një pallat në ndërtim me katër kate, si dhe katër llogari bankare.
Sipas SPAK, organizata kriminale e drejtuar nga vëllezërit Çopja ka investuar të ardhura të fituara nga trafiku ndërkombëtar i drogës në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, duke përfshirë blerjen e apartamenteve, vilave, bareve, restoranteve dhe sipërfaqeve të tokës në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës. Shuma të konsiderueshme parash janë injektuar në sektorin e ndërtimit për realizimin e godinave të banimit dhe komplekseve nga fillimi.
SPAK gjithashtu raporton se Franc Çopja ka transferuar shuma të konsiderueshme parash përmes zyrave të këmbimit valutor brenda dhe jashtë vendit. Këto para janë përdorur për pagesa të vrasjeve të porositura dhe për investime për llogari të organizatës në Shqipëri dhe jashtë saj.