Qeveria ka miratuar ndryshimet që sjellin orare pune fleksibël për punonjësit e administratës. Ministrja e shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni prezantoi ndryshimet pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas ndryshimeve, punonjësit kanë detyrimin që të punojnë 8 orë e 30 minuta nga e hëna në të enjten dhe 6 orë pune ditën e premte. Punonjësit do kenë fleksibilitet në orare, por kanë të detyrueshme që gjatë fashës orare 09:30-15:30 pozicioni i tyre mos të jetë bosh. Pra, e gjithë administrata do duhet të jetë në punë me patjetër në këtë fashë orari.
Sa u takon 2 orëve të tjera punonjësit do kenë fleksibilitet, pasi mund të zgjedhin që të shkojnë në punë më herët ose pak më vonë. Psh: Një punonjës mund ta nisë punën në administratë që në orën 07:00 dhe të plotësojë orarin e tij prej 8 orë e 30 minuta. Pra, sipas llogarive i bie që të largohet nga puna në orën 15:30.
Ndërkohë, një punonjës tjetër mund të zgjedhë që të shkojë në punë pak më vonë. Psh: Nëse e nis punën në orën 09:30 dhe të plotësojë orarin dhe sipas llogarive i bie që të largohet nga puna në orën 17:30.
Pra, në të dyja rastet, edhe kur një punonjës zgjedh që të nisë punën më herët në 07:00 apo një tjetër të nisë punën në 09:00, të dy i plotësojnë 8 orarëshin në punë dhe ndodhen në ambientet e zyrave sipas fashës të përcaktuar nga VKM, nga ora 09:30-15:30, por kanë më shumë fleksibilitet.
“Kjo është një iniciativë që e kemi në kuadër të rienergjizimit të administratës publike. Kemi injektuar elementë të fleksibiliteteit në punë, mbi të gjitha për të garantuar që Administrata publike të jetë një punëdhënës më tërheqës. Në kuadër të kësaj, për herë të parë parashikohet koncepti i orëve fleksibël të punës, me qëllim optimizmin e procesit të menaxhimit të burimeve njerëzore, por edhe për të garantuar një balancë më të mirë mes punës dhe jetës private.
Në bazë të këtij vendimi parashikohet shprehimisht që ndërkohë kohëzgjatja e ditore mbetet e plotë, nga e hënë në të enjte, 8 orë e 30 minuta, ndërsa ditën e premte 6 orë, punonjësit e administratës publike mund të zgjedhin të nisin ditën e punës me herët dhe ta përfundojnë më herët, ose ta nisin më vonë dhe të përfundojnë më vonë, duke garantuar që të gjithë punonjësit të jenë prezent në zyrë, nga një fashë orare 9:30 deri 15:30, nga e hëna në të enjte dhe 9:30 deri 13:00 ditën e premte.
Kjo vjen në përgjigje të një sërë kërkesash që kemi marrë nga punonjësit e administratës për të garantuar më shumë fleksibilitet për t’iu garantuar atyre që duan të shoqërojnë fëmijët në kopshte çerdhe për të garantuar mjedis pune më miqësor.,” tha ministrja.
Adea Pirdeni deklaroi se me ndryshimet e kodit të punës është hequr kufizimi, ku sipas të cilit punonjësit e administratës nuk mund të merrnin leje vjetore, në më pak se një javë kalendarike, është përcaktuar shprehimisht që kohëzgjatja vjetore e pushimeve është 22 ditë pune, ku janë shtuar edhe 2 ditë eksta pushim për të gjithë punonjësit.
“Po ashtu në ndryshimet e kodit të punës është hequr kufizimi, ku sipas të cilit punonjësit e adinistratës nuk mund të merrnin leje vjetore, në më pak se një javë kalendarike, është përcaktuar shprehimisht që kohëzgjatja vjetore e pushimeve është 22 ditë pune, ku janë shtuar edhe 2 ditë eksta pushim për të gjithë punonjësit,” përfundoi Pirdeni.