Vendosni fjalën kyçe....

SHBA shpreh shqetësim për rrezikun e përshkallëzimit në Lindjen e Mesme


Shtëpia e Bardhë shprehu të mërkurën shqetësim për rritjen e rrezikut të një përshkallëzimi në Lindjen e Mesme, pasi vrasja e udhëheqësit të Hamasit Ismail Haniyeh në Iran, u pasua me kërcënime për hakmarrje kundër Izraelit.

Megjithatë duke folur me gazetarët në një konferencë shtypi, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se Uashingtoni nuk e sheh një konflikt të gjithanshëm në rajon si të pashmangshëm dhe se po punon për ta parandaluar një gjë të tillë.

Ai tha se SHBA ende beson se ekziston mundësia për të arritur një marrëveshje armëpushimi për t’u dhënë fund më shumë se nëntë muajve luftime mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, pavarësisht shqetësimeve se këto përpjekje kanë marrë një goditje serioze.

Grupi militant islamik palestinez Hamas dhe Garda Revolucionare e Iranit konfirmuan vdekjen e udhëheqësit të Hamasit Haniyeh, i cili kishte marrë pjesë në bisedimet e ndërmjetësuara ndërkombëtarisht për arritjen e një armëpushimi në enklavën palestineze.

Garda Revolucionare tha se vrasja ndodhi disa orë pasi ai mori pjesë në një ceremoni betimi për presidentin e ri të Iranit.

Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu nuk e përmendi vrasjen në një deklaratë televizive të mërkurën në mbrëmje, por tha se Izraeli u kishte dhënë goditje dërrmuese përfaqësuesve të Iranit së fundmi, përfshirë Hamasin dhe Hezbollahun, dhe do t’i përgjigjej me forcë çdo sulmi.

Vrasja ndodhi më pak se 24 orë pasi Izraeli tha se kishte vrarë komandantin më të lartë ushtarak të Hezbollahut në kryeqytetin libanez Bejrut, si hakmarrje ndaj një sulmi vdekjeprurës me raketë në Lartësitë Golan të pushtuara nga Izraeli, shkruan VOA.