Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria fiton arbitrazhin 100 milionë euro për Portin e Durrësit


Shqipëria ka fituar gjyqin e arbitrazhit me kompaninë turke Kurum për mbylljen e kontratës koncesionare të terminalit të kontenierëve në Portin e Durrës.

Gjykata për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve në Uashington, ICSID, ka rrëzuar pretendimin 100 milionë euro që kompania turke kishte ndaj qeverisë shqiptare, dëm që sipas saj i ishte shkaktuar nga mbyllja e njëanshme e koncesionit për terminalin e kontenierëve në Portin e Durrësit, ka mësuar Kapital.al

Kompania turke Kurum, fitoi në 2011-ën një koncesion 30-vjeçar për menaxhimin e terminalit të kontenierëve në portin e Durrësit.

Por, në 2017-ën, Damian Gjiknuri ministri i atëhershëm i Infrastrukturës urdhëroi anulimin e koncesionit duke hapur çështje gjyqësore për shkak të mospërmbushjes së kushteve kontraktuale nga kompania.

Si Gjykata Administrative ashtu edhe ajo e Apelit konfirmuan të drejtën e Ministrisë për zgjidhjen e kontratës. Më pas me ardhjen e Belinda Ballukut në krye të ministrisë së Infrastrukturës, në 3 shkurt 2020, përmbaruesit shkuan në terren për të larguar kompaninë turke nga porti i Durrësit.

Për këto veprime, kompania turke ka bërë padi në arbitrazh më 23 shtator të 2020-ës. Gjykata e Arbitrazhit në Amerikë shqyrtoi për gati 4 vjet konflitin mes palëve, për të cilin kompania turke kërkonte 100 milionë euro kompesim. Por ky pretendim është rrëzuar, pasi ICSID ka vendosur në favor të qeverisë shqiptare.

Aktualisht terminali i kontejnerëve shfrytëzohet nga një kompani e regjistruar në Maltë, “Hili Company Limited”e cila ka hapur një kompani në Shqipëri dhe qe bën vetëm operimin dhe mirëmbajtjen.

Me kontratën e nënshkruar në 8 mars të 2021-it, parashikon se kompania malteze do të bëjë ngarkim shkarkimin e kontenierëve në port për një periudhë 5 vjeçare kundrejt një pagesë prej 3.8 miliardë lek, ose 38 milionë euro.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Kapitali.al