Më shumë se 100 persona u arrestuan në qendër të Londrës të mërkurën në mbrëmje, ndërsa oficerët u përleshën me protestuesit në Whitehall, afër Downing Street, gjatë një demonstrate.
Trazirat shpërthyen edhe në Hartlepool ku tetë persona u arrestuan, disa oficerë u plagosën dhe një makinë policie u dogj.
Kryeministri Sir Keir Starmer do të takohet me drejtues të lartë të policisë të enjten për t’u ofruar atyre “mbështetjen e plotë” përballë trazirave të vazhdueshme.
Dal Babu, ish kryeinspektori dhe komandanti i armëve të zjarrit në Met, ka fajësuar për trazirat, përhapjen “e pamatur” të dezinformatave në lidhje me identitetin e të dyshuarit të akuzuar për therjen me thikë të 3 fëmijëve në Southport dhe plagosjen e tetë fëmijëve të tjerë.
Duke folur në programin “Today” të BBC R4, zoti Babu tha se policia ka marrë vendimin “të paprecedentë” për të konfirmuar se i dyshuari “ka lindur në këtë vend”.
Në Londër, demonstruesit u panë duke lëshuar fishekzjarrë drejt portave të Downing Street dhe në një statujë të Winston Churchill.
Njerëzit mund të dëgjoheshin duke brohoritur fraza të tilla si “ndaloni barkat” dhe “shpëtoni fëmijët tanë” ndërsa ata hidhnin shishe dhe kanaçe ndaj oficerëve.
Më herët, Met tha se kushtet e vendosura në protestë ishin shkelur.
Met tha se bëri arrestime për një sërë veprash, duke përfshirë sulmet e dhunshme, sulmin ndaj një punonjësi të urgjencës dhe shkeljen e kushteve të protestës të mërkurën në mbrëmje.
Në një deklaratë, Met tha se oficerët ishin vendosur për të “siguruar që të kontrolloheshe protesta” dhe se disa “pësuan lëndime të lehta”.
Disa oficerë u plagosën gjithashtu në Hartlepool pasi dhuna shpërtheu në qytet, tha Policia e Cleveland.
Tetë persona u arrestuan në lidhje me shkeljet e rendit publik pasi shishe qelqi dhe vezë u hodhën ndaj policisë nga protestuesit. Gjithashtu është djegur edhe një makinë policie.
Ch Supt David Sutherland tha për arrestimet e Cleveland: “Në këtë fazë ne besojmë se protesta është në lidhje me incidentin në Southport në fillim të kësaj jave.”
Forca tha se ata “presin arrestime të mëtejshme që do të bëhen në ditët në vijim”.
Trazira u raportuan gjithashtu në Aldershot. Deputeti lokal Alex Baker tha se një protestë paqësore “përfundoi në irritim” në një hotel në qytetin Hampshire.
“Ky incident u përkeqësua nga njerëz nga jashtë komunitetit tonë që erdhën këtu të vendosur për të shkaktuar trazira,” tha ajo.
“Ne të gjithë mbështesim të drejtën tonë të përbashkët për të protestuar në mënyrë paqësore, por ne nuk do të mbështesim njerëzit që vijnë në qytetet tona të vendosur për të nxitur telashe dhe për të ndarë komunitetin.”
Në Mançester, dy burra u arrestuan për sulme të dhunshme ndaj një punonjësi të urgjencës.
Policia e Mançesterit tha se protestuesit u shpërndanë në zonën e Newton Heath pasi “u hodhën objekte, drejt policisë dhe publikut”.
Trazirat e së mërkurës pasuan trazirat pranë një xhamie në Southport të martën mbrëma, gjatë së cilës ndërtesa u sulmua.
Oficerët e policisë së Merseyside u qëlluan gjithashtu me tulla dhe një furgon policie u dogj.
Trazirat erdhën pasi Alice Dasilva Aguiar, nëntë vjeç, Bebe King, gjashtë vjeç dhe Elsie Dot Stancombe, shtatë vjeç, u goditën me thikë për vdekje të hënën teksa ndodheshin në një kamp pushimi në Southport.
Tetë fëmijë të tjerë pësuan plagë me thikë – me pesë prej tyre në gjendje kritike – ndërsa dy të rritur gjithashtu u plagosën rëndë.
Të enjten, Alder Hey Children’s NHS Foundation Trust njoftoi se dy nga fëmijët e lënduar ishin liruar nga spitali..
Pesë fëmijë janë ende duke u trajtuar dhe janë “aktualisht në një gjendje të qëndrueshme”, tha Alder Hey.
Të enjten herët në mëngjes, një djalë 17-vjeçar u akuzua nga Policia e Merseyside për tre akuza për vrasje, dhjetë akuza për tentativë vrasje dhe posedim të një artikulli me teh.
Adoleshenti, emri i të cilit nuk mund të bëhet i ditur për arsye ligjore, u paraqit në Gjykatën e Magjistraturës së Liverpool City të enjten.
Gjatë seancës, u njoftua se i pandehuri do të paraqitet në Gjykatën e Kurorës së Liverpool më vonë të enjten.
Policia e Merseyside ka konfirmuar se 17-vjeçari ka lindur në Cardiff nga prindër ruandazë, se ai duket se nuk ka lidhje të njohura me Islamin dhe se ata aktualisht nuk po hetojnë sulmin si të lidhur me terrorin.
Të enjten, Kryeministri do të mirëpresë drejtuesit e lartë të policisë në Downing Street për të diskutuar mbi trazirat e ndodhura.