Vendosni fjalën kyçe....

Blinken: Provat tregojnë se opozita e Venezuelës fitoi zgjedhjet


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se kishte “prova dërrmuese” që tregojnë se Edmundo González fitoi zgjedhjet presidenciale në Venezuela, pavarësisht shpalljes së presidentit aktual Nicolás Maduro për një fitore të diskutueshme. Blinken tha se këto prova konfirmojnë se González ka fituar më shumë vota në zgjedhjet e 28 korrikut.

“Duke pasur parasysh provat dërrmuese, është e qartë për Shtetet e Bashkuara dhe, më e rëndësishmja, për popullin venezuelian se Edmundo González Urrutia fitoi më shumë vota në zgjedhjet presidenciale të Venezuelës të 28 korrikut,” tha zoti Blinken.

Ndërhyrja e tij vjen pasi presidentët e Brazilit, Meksikës dhe Kolumbisë kërkuan nga qeveria venezueliane të publikojë detajet e plota të zgjedhjeve. Madje, opozita ka akuzuar se rezultatet janë falsifikuar, duke pretenduar se numri i votave të tyre tregon një fitore të qartë.

Presidenti Maduro ka mohuar çdo akuzë për mashtrim dhe ka thënë se opozita po përpiqet të organizojë një grusht shteti.

Njoftimi i fitores së Presidentit Maduro shkaktoi protesta vdekjeprurëse në Karakas.

Blinken ka kërkuar që të fillojnë diskutimet për një tranzicion të respektueshëm dhe paqësor në përputhje me ligjin zgjedhor të Venezuelës dhe dëshirat e popullit./BBC