Drejtori i Policisë Rrugore godet qytetarin gjatë protestës në autostradën Thumanë-Kashar


Drejtori i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Altin Qato, është filmuar duke goditur me shpullë një qytetar dhe më pas duke urdhëruar shoqërimin e tij gjatë protestës së banorëve në autostradën Thumanë-Kashar.

Në videon e marrë nga profili në Facebook i gazetares Klodiana Lala, Altin Qato në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe ligjet e uniformave blu, ka goditur me shpullë një qytetar duke shkelur vetë i pari ligjin dhe më pas ka urdhëruar shoqërimin e tij. 

Banorët e zonës përreth aksit Thumanë-Kashar protestuan sërish pasditen e së premtes, duke kërkuar akses në autostradën e re.

Gjatë protestës ka pasur përplasje me policinë pasi protestuesit tentuan të bllokojnë qarkullimin në autostradë e më pas janë ulur në mes të rrugës duke e bllokuar atë në të dyja drejtimet.

Protesta nisi rreth orës 18:15 dhe disa qindra qytetarë bllokuan të dy akset e autostradës. Policia arriti të largojë protestuesit dhe të zhbllokojë qarkullimin në orën 19:00.