Vendosni fjalën kyçe....

PD akuza se grabiti prona në Vuno, Rama: Shpifje nga kanalet e ujërave të zeza në Tiranë e Athinë, padi për skllevërit e ‘non gratës’


Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me akuzat e PD-së, sa i takon tokave në Vuno.

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama si përfitues të tokave në Vuno, duke u përpjekur të heqë një paralele mes pronave të familjarëve të tij e procesit të privatizimit të tokës ku dhëndri i Sali Berishës Jamarbër Malltezi ndërtoi 19 kulla.

Bëhet fjalë për 22.4 hektarë ose 224 mijë metra katrorë, ku vëllezërit Rama marrin një pjesë jo të vogël. Një pasuri e tillë në atë zone, e painvestuar, përllogaritet me një vlerë 30 milionë euro”, tha Ivi Kaso.

Por, për vetë Ramën, paralelizimi i këtyre dy proceseve është përpjekje dëshpërtuese për të hedhur baltë mbi familjarët e tij.

“Përpjekja e dëshpëruar për të bërë një paralele të pamundur, mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve, ku edhe vetja, familjarët apo fisi yt trajtohen njësoj si të gjithë, është një përpjekje që e përshëndes me kënaqësi, sepse aq sa ç’është e neveritshme si gjithnjë kur hidhet baltë mbi familjen time për të luftuar në fakt me mua, aq është këtë herë edhe e mirëseardhur për të bërë dallimin si nata me ditën mes agresorëve të familjes time dhe meje si kundërshtar i papërkulshëm i tyre”, shkruan Rama.

Në fakt, Rama thotë se ndryshe nga sa pretendon PD, familja e tij, njëjtë si të tjerë trashëgimtarë pronash në jug, ende nuk e kanë certifikatën e pronësisë.

“Për publikun ka vetëm një fakt. Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone – ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon – nuk i ka marrë ende certifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete.

Kështu që faleminderit që e hapën këtë gropë në publik për mua dhe bujrum le të hidhen vetë brenda, si zakonisht, por këtë herë me të mirën e madhe që populli do ta shohë dallimin e madh, si në një pasqyrë ku vetëm qorrat me qimen e syrit në tru mund të mbeten pa e kuptuar!”, vijon Rama.

Akuzave, që thotë se janë prodhuar sa në Tiranë aq edhe në Athinë, paralajmëron se do t’i përgjigjet me padi.

“Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujërave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta, që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli kur kishin edhe gurin edhe arrën, në duart e tyre të mbrapshta e të pista”, vijon Rama.