Vendosni fjalën kyçe....

Xhixho: Shqiptarët paguan 70-80% më shtrenjtë se në Itali për fruta dhe perime


Zëvendës Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar me shqetësim për rritjen e çmimeve të frutave dhe perimeve në Shqipëri, duke e cilësuar këtë fenomen si alarmant. Në një postim në rrjetet sociale, Xhixho theksoi se qytetarët shqiptarë paguajnë deri në 80% më shumë për të njëjtat produkte krahasuar me Italinë, ndërkohë që pagat në Shqipëri janë shumë më të ulëta.

Xhixho akuzoi qeverinë se ka mbyllur sytë ndaj abuzimeve me çmimet e produkteve bujqësore dhe se rritja e çmimeve ka kontribuar në një mbledhje më të madhe të të ardhurave në buxhetin e shtetit, pa u shpërndarë për nevoja sociale si arsim dhe shëndetësi. Ajo kritikoi gjithashtu bllokimin e fondeve IPARD dhe vlerësoi se paratë nga rritja e çmimeve po përfundojnë në xhepat e klientëve të qeverisë dhe ministrave të korruptuar.

Xhixho përfundoi duke bërë thirrje për masa emergjente për të mbrojtur fermerët dhe qytetarët nga abuzimet dhe krizën e çmimeve.

Postimi i plotë:

”Përshëndetje! Të nderuar qytetarë. Jam sot para jush për të përcjellë shqetësimin e qindra qytetarëve të Tiranës, por edhe të qytetve të tjera të Shqipërisë, për rritjen alarmante të çmimeve të frutave dhe perimeve.

Në pamundësi për të vënë në tryezë produktet e stinës, qytetarët dhe në veçanti pensionistët, kanë denoncuar prej javësh në media çmimin abuziv të tyre. Për shumë prej tyre, frutat dhe perimet janë kthyer në “mollën e ndaluar” që nuk mund ta prekin as kur kanë stinën e tyre.

Nga fermeri e deri te konsumatori, çmimi dyfishohet, pasi qeveria e inceneratorëve mbyll sytë para abuzimit hapur me çmimet e produkteve bujqësore.

Ky abuzim thellon akoma më tej krizën e çmimeve që nisi në fillim të vitit 2022, të cilën qeveria refuzoi ta zbuste sadopak duke hedhur poshtë kërkesët tona për heqjen e TVSH-së së produkteve të shportës.

Në krahasim me Italinë fqinje, për të njëjtat produkte paguajmë 70-80% më shtrenjtë, ndërkohë që pagat në Shqipëri janë shumë më të ulëta se në Itali.

Tani, Autoriteti i Konkurrencës u zgjua nga gjumi dhe arriti të shohë një të vërtetë që e kemi parë të gjithë me sytë tanë përditë: Nga prodhuesi deri tek konsumatori fundor, çmimi i frutave dhe i perimeve është shtrenjtuar deri në 100%.

E paguajnë fermerët e penalizuar me heqjen e fondeve IPARD, për shkak të korrupsionit qeveritar.  

E paguajnë qytetarët e varfër të vendit, që nuk mbyllin dot muajin.

Ato që përfitojnë janë monopolet e ngritura me bekimin e qeverisë!

Sepse i tillë është sistemi që ka ngritur kjo qeveri: paguan më i varfri që të përfitojë vetë qeveria dhe oligarkët e saj.

Bllokimi i fondeve IPARD dhe detyrimi për të kthyer mbrapsht disa miliona euro të fondeve të mëparshme është prova më e qartë se kush vjedh dhe kush e paguan dëmin.

Rritja e çmimeve po arkëton më shumë para në buxhetin e shtetit se një vit më parë. Në katër muajt e parë të vitit u mblodhën 231.6 miliardë lekë, plot 24.1 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar. Në vend që të shkojnë për shtresat në nevojë, arsim cilësor apo shërbim shëndetësor, ato do të përfundojnë në xhepat e klientëve të qeverisë dhe ministrave të saj të korruptuar.

Shqipëria dhe shqiptarët janë futur në një spirale korrupsioni dhe abuzimi, që vetëm thellohet. 

60% e buxhetit të tyre familjar shkon për ushqimin. Jemi të fundit në rajon për fuqinë blerëse.

Në Shqipërinë e 10 milionë turistëve të kryeministrit, shqiptarët e varfër nuk përballojnë dot as një javë pushime në vit. Ndaj plazhet e Jugut janë sivjet më bosh se asnjëherë tjetër.

Shqiptarët vijojnë të mbeten të fundit në Europë për të ardhurat për frymë me 35% të mesatares europiane. Rritja ekonomike nuk ka prodhuar mirëqenie, sepse ekonomia e vendit është vënë në funksion të një pakice, e cila me bekimin e qeverisë shmang taksat e ndan me të paratë e taksapaguesve të varfër. 

Është emergjente të merren masa për të mbrojtur nga abuzimi i dyfishtë fermerët dhe qytetarët, të cilët kanë paguar deri tani kostot e rënda të korrupsionit qeveritar dhe krizave të çmimeve.

Vendosja e ekuilibrave në treg është domosdoshmëri për të shmangur falimentimin e fermerëve dhe zhytjen e qytetarëve në varfëri akoma më thellë.

Faleminderit”. shkruan Xhixho.