Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: SPAK organizatë partnere për drejtësinë në PS, për inceneratorin e Tiranës nuk janë fajtor vetëm 12 punonjësit


Belind Këlliçi në një deklaratë për shtyp ditën e sotme u shpreh i pakënaqur me hetimet e SPAK-ut për inceneratorin e Tiranës duke akuzuar se funksionojnë si organizatë partnere që mbulon drejtësinë në PS.

Këlliçi dhe Partia Demokratike kërkojnë që Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjël Agaçi të merren të pandehur për inceneratorin e Tiranës pasi sipas tij ata kanë firmosur dhe urdhëruar që të kryen procedurat për dhënien e koncesionit.

Këlliçi e quajti vendimin e SPAK-ut për dërgimin për gjykim të 12 punonjësve të thjeshtë të Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Mjedisit si skandaloz dhe të turpshëm.

Deklarata e plotë:

Kushdo që ka patur edhe më të voglin dyshim, se kolegët e pronarit faktik të Inceneratorit Tiranë dhe kreut të Grupit të Strukturuar Kriminal Erion Veliaj, do të bënin drejtësi për aferën e shekullit, atë të vjedhjes së 132 milionë eurove përmes një inceneratori që nuk ekziston, dje ka marë një goditje dhe mesazh të qartë nga SPAK.

Në një vendim të turpshëm, skandaloz, të denjë për republikat e bananeve, ditën e djeshme, organizata partnere që mbulon drejtësinë në PS, e cila sipas vetë fjalëve të kolegut të tyre Erion Veliaj, paguhet me buxhetin e Partisë Socialiste dhe godinën e ka marë dhuratë nga Bashkia Tiranë, na tha se përgjegjës për vjedhjen e 132 milionë eurove, janë 12 punonjës të thjeshtë të Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Mjedisit, të cilët do të gjykohen për veprën e “shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim.

Këta 12 punonjës, sipas SPAK janë përgjegjës për dhënien e bonusit 8% të pikëve kompanisë që nuk ekzistonte Integrated Energy BV sh.p.k., ku ndërkohë nuk ka sot shqiptar që nuk e di që personi i cili ka firmosur këtë bonus, edhe pasi është njoftuar dy herë nga dy Ministrat e atëhershëm Manjani dhe Felaj se kjo kompani nuk ekzistonte, është vetë Edi Rama.

Janë Engjëll Agaçi dhe Edi Rama personat drejtpërdrejtë përgjegjës për këtë shkelje flagrante, e ndërkohë sot SPAK me urdhër të tyre, po çon në burg Anëtarët e Komisionit të Dhënies së Konçensionit, të cilët pa lejen e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, nuk mund as të shkonin në tualet.

Sipas SPAK, këta 12 punonjës janë përgjegjës edhe për procedurën e dhënies së konçensionit për ndërtimin e inceneratorit, edhe pse nuk ka sot shqiptar që nuk e di se është Erion Veliaj ai, i cili fillimisht propozoi këtë projekt dhe pas refuzimit kategorik të 2 ish ministrave të Financave të kohës, Cani dhe Ahmetaj, vetë Erion Veliaj firmosi më 27 mars 2017 miratimin e këtij konçensioni, në shkelje të plotë të Ligjit për “Vetqeverisjen vendore”, pa pyetur aspak Këshillin Bashkiak për këtë angazhim dhe gropë financiare në të cilin i futi qytetarët e Tiranës për 30 vite.

Sipas SPAK, këta 12 punonjës janë përgjegjës edhe për të dhënat fiktive në studimin e fizibilitetit i cili u përdor për të rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve në 29 euro/ton, studim të cilin e kemi publikuar të plotë nga kjo foltore dhe me të cilin kemi parë pronarin faktik të inceneratorit Erion Veliajn, të rrihte gjoksin, studio më studio, duke thënë se po i kursente para qytetarëve të Tiranës përmes miratimit të këtij konçensioni hajdutërie dhe babëzie, i cili sot e ka çuar tarifën reale të pastrimit dhe depozitimit të mbetjeve të Tiranës në 101 euro/ton, nga 35 euro/ton që ishte propozimi fillestar i IFC dhe Bankës Botërore.

Dy fjalë dua ti them personalisht edhe si qytetar dhe djalë i këtij qyteti. E di që shumë prej jush janë lodhur apo mësuar tashmë me skandalet dhe vjedhjet e kësaj mazhorance. E di që për ju nuk është më ndonjë habi apo lajm nëse Erion Veliaj vjedh me skemën 5D të 5 Drejtorëve apo me skemën 7S të 7 Specialistëve.

Ne e dimë tashmë se në krye të Bashkisë Tiranë qëndron Erion Veliaj si simboli i hajdutërisë më banale që ka parë historia e këtij qyteti dhe në krye të qeverisë vijon të qëndrojë themeluesi i Narkoshtetit të parë në Evropë, Edi Rama.

Por ky moment kërkon edhe më shumë forcë, besim, kurajo e qëndrueshmëri nga të gjithë ne, nga unë i pari, nga çdo opozitar dhe nga çdo shqiptar që ka vendosur të punojë e jetojë në këtë vend.

Edhe pse SPAK ka rrëzuar tashmë çdo alibi apo ka hequr maskën se u ngrit si institucion për goditjen e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, edhe pse SPAK tashmë është rreshtuar totalisht në shërbim të verbër të pushtetit dhe është kthyer në vegël politike të qeverisë, ne nuk do të dorëzohemi.

Garantojmë çdo qytetar shqiptar se Partia Demokratike do vijojë këtë betejë pa asnjë kompromis. Ne nuk do të tërhiqemi pa çuar para drejtësisë pronarin faktik të inceneratorit Tiranë Erion Veliaj dhe pa diskutim themeluesi i Narkoshtetit të parë në Evropë, Edi Rama do të ketë fundin më të zymtë politik e do të damkoset njëherë e përgjithmonë si kreu i një karteli droge dhe jo si kreu i një shteti të lirë e demokratik.

Në ditët në vijim, ne do të vazhdojmë publikimin e dokumentave të reja për aferën e inceneratorit Tiranë, si vjedhjen më flagrante e të dokumentuar që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri.

Garantojmë qytetarët shqiptarë se çdo zyrtar, prokuror apo gjyqtar, që bëhet palë dhe rreshtohet krahë hajdutëve në qeveri dhe Grupit të Strukturuar Kriminal në Bashkinë Tiranë, do të mbajë përgjegjësi një ditë para ligjit dhe shqiptarëve të thjeshtë.