Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar sërish mbi problematikën e krijuar pas rrëzimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese për “taksën ndaj profesioneve të lira”.
Mijëra biznese e profesionistë të lirë të cilat kishin paguar taksën para rrëzimit të ligjit kërkojnë rikthimin e tij, por autoritetet nuk pranojnë rikthimin e tyre.
Sipas Tabakut nga kjo taksë janë grumbulluar mbi 10 milionë euro nga 10 mijë profesionistë të lirë të cilat nuk janë asgjë për qeverinë por janë shumë për të gjithë individët që e kanë paguar atë.
Deputetja e PD-së kërkon që qeveria dhe institucionet të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim të qartë në lidhje me Taksën antikushtetuese ndaj Profesioneve të Lira. E ka rrëzuar atë!
Mirëpo edhe pse çështja ishte në Gjykatë dhe po shqyrtohej prej saj, qeveria socialiste vazhdonte të dërgonte njoftime Profesionistëve të Lirë për të paguar taksën antikushtetuese dhe atyre që guxonin të mos paguanin pasi po prisnin vendimin e Gjykatës, qeveria socialiste i përmendte kërbaçin e ndëshkimit për një taksë të pandershme që më vonë u rrëzua.
Sot, janë rreth 10 mijë biznese që kanë paguar një taksë që nuk duhej ta paguanin. Buxheti i shtetit ka grumbulluar mbi 10 mln euro të ardhura nga 10 mijë profesionistë të lirë.
Qartësisht këto të ardhura janë mbledhur nga një taksë e pandershme dhe antikushtetuese. Qeveria do të duhet që të nisë menjëherë procedurat për t’ia rikthyer këto 10 mln euro shtresës së mesme së cilës i është marrë në kundërshtim me Kushtetutën.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është final, i padiskutueshëm. Qeveria shqiptare ka vetëm detyrën që të zbatojë këtë vendim! Nuk mundet në një shtet të së drejtës, në një demokraci perëndimore të vihen më diskutim vendimet e asnjë gjykate për më tepër asaj kushtetuese.
10 mln euro nuk janë kurrgjë për arkën e shtetit por janë shumëçka për xhepin e shtresës së mesme që është shtylla kurrizore e vendit tonë. Atyre u duhet kthyer ajo që është marrë padrejtësisht dhe pandershmërisht! Vetë nuk e bënë dot kurrë mbështetjen për shtresën e mesme, të paktën të zbatojnë vendimin e gjykatës”-shkruan Tabaku.