Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllja e votimit në Himarë, KQZ: Procesi i qetë, sistemi PEI i suksesshëm, pjesëmarrja 36.9%


Ka përfunduar në orën 19:00  orari i votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë, ku qendrat e votimit janë mbyllur në të gjithë territorin e bashkisë.

Procesi i votimit në 36 QV ka vijuar i qetë ndërkohë që zgjedhësit janë identifikuar elektronikisht dhe sistemi PEI ka rezultuar krejt i suksesshëm.

KQZ e ndoqi në dinamikë ecurinë e procesit, duke ndërhyrë në rastet kur u kërkua asistencë nga ana e Komisionerëve të Qendrave të Votimit.

Nga informacionet paraprake dhe të dhënat e raportuara, pjesëmarrja në zgjedhje rezulton 36.9%.

Komisionet e QV po përgatiten për të dorëzuar kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore në KZAZ-në nr. 88, për t’i hapur rrugë procesit të numërimit të votave.

Procesi i numërimit të votave do të fillojë kur të mbërrijë në KZAZ edhe kutia e fundit e votimit nga QV me largët.