Njësiti FAST Kosova në bashkëpunimin me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) kanë arrestuar në lagjen “Emshir” të Prishtinës Arben Lamçjën.
Burime të Gazetës Insajderi kanë thënë se i arrestuari nënshtetas i Shqipërisë është i kërkuar për vrasje me pagesë, Arben Lamçja.
Bashkë me të, është arrestuar edhe një person tjetër, sipas këtyre burimeve.
Operacioni “Plumbi i Artë” është bërë shkak për zbardhjen e 6 vrasjeve të ndodhura vitet e fundit në Shqipëri. GJKKO me kërkesë të SPAK, falë këtij operacioni, ka lëshuar një urdhërarrest për 30 persona, në mesin e të cilëve ishte edhe Lamçja.
Për Arben Lamçen u lëshuar një urdhër arresti nga SPAK në kuadër të vijimit të megaoperacionit Plumbi i Artë 2, që u krye prej SPAK, BKH, policisë së shtetit dhe strukturave policore në Belgjikë, Holandë dhe Francë.
Mes emrave të 36 urdhërarresteve ishte dhe ai i Arben Lamçes, i cili ndodhej në Prishtinë. Tashmë pritet që Lamçja të vijë në Shqipëri dhe të njihet me masën e sigurisë. Operacioni Plumbi i Artë zbardhi 3 vrasje me 6 viktima, të ndodhura në Shqipëri në vitet 2021.
Në krye të grupit kriminal të demontuar ishin vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja që ndodhen jashtë dhe janë në kërkim.