Udhëtimi për në dhe nga ishulli italian i Sicilisë është ndërprerë aktualisht për shkak të një shpërthimi vullkanik.
Bëhet e ditur se aeroporti ndërkombëtar i Catanias ka vonuar fluturimet për shkak të një shpërthimi nga mali Etna, i cili ka ngritur tym në ajër dhe ka ndikuar në dukshmërinë e pilotëve gjatë fluturimeve.
Qytetet aty pranë janë mbuluar gjithashtu nga hiri i zi vullkanik pasi krateri Voragine filloi të shpërthejë mbrëmë.
Mbërritjet aktualisht janë të kufizuara në gjashtë në orë në Catania, e cila është në bregun lindor të Sicilisë dhe rrëzë malit Etna, vullkanit më aktiv të Evropës.
Gjatë shpërthimeve të mëparshme, fluturimet janë devijuar në aeroporte të tjera në ishull, si Palermo dhe Comiso, por nuk është e qartë nëse ky do të jetë plani edhe tani.
Aeroporti i Catanias: Këshilla për pasagjerët
Menaxhmenti i aeroportit ka këshilluar pasagjerët që të kontaktojnë kompanitë e tyre ajrore për informacion mbi fluturimet e tyre, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Pasagjerët këshillohet të kontrollojnë aplikacionet ose faqet e internetit të linjës ajrore për informacione më të përditësuara, si dhe kanalet e tyre të rrjeteve sociale.
Gjithashtu, duhet të mbajnë një sy në emailin me të cilin kanë bërë rezervimin pasi linja ajrore ose platforma e rezervimit mund t’i kontaktojë për t’i këshilluar për ndryshimet.
Megjithëse nuk janë dhënë numra zyrtarë, bordet e mbërritjeve të aeroportit tregojnë vonesa nga 30 minuta deri në një orë për disa fluturime.
Shumica e fluturimeve kanë nisur në kohë deri më tani, megjithatë mund të ketë një efekt nëse pistat bllokohen.
Siç raportohet, Catania është aeroporti më i popullarizuar i Sicilisë, me ishullin në kulmin e sezonit veror.
A po devijohen fluturimet e Catanias?
Për momentin, fluturimet nuk po devijohen në aeroporte të tjera në Sicili.
Megjithatë, nëse tymi vullkanik vazhdon të ndikojë në dukshmëri, mund të fillojnë devijimet.
Mos harroni se Sicilia është ishulli më i madh në Mesdhe. Është dyfishi i madhësisë së Qipros, një vend më vete, dhe duhen të paktën tetë orë për të shkuar aty nga lindja në perëndim.
Aeroporti Comiso është dy orë me veturë nga aeroporti i Catanias; të dyja janë në lindje të ishullit.
Ndërsa Palermo dhe Trapani janë në perëndim të ishullit, prandaj duhen katër-pesë orë me veturë nga Catania.
Gjatë ndërprerjes së mëparshme të udhëtimit, aeroportet ose linjat ajrore kanë rregulluar autobusë falas për të çuar pasagjerët në aeroportin ku duhej të zbrisnin.
A do të jenë në gjendje pasagjerët të kërkojnë kompensim?
Linjave ajrore u kërkohet t’ju ofrojnë një fluturim tjetër ose një rimbursim nëse një fluturim anulohet ose vonohet për më shumë se tre orë.
Megjithatë, kjo është vetëm kur ata mund të kishin parandaluar problemin. Në rastin e një shpërthimi vullkanik, nuk është faji i tyre.
Por, në shumicën e rasteve, linjat ajrore do të përpiqen ende t’i çojnë pasagjerët në destinacionin e tyre përfundimtar.
A është e sigurt të udhëtosh në Sicili?
Po, është ende e sigurt të udhëtosh në Sicili, edhe pse mali Etna po shpërthen.
Ka një thatësirë të vazhdueshme, por shumica e hoteleve dhe akomodimeve të tjera turistike janë të hapura dhe funksionojnë normalisht.
Udhëtarët duhet të marrin masat e zakonshme paraprake për motin e nxehtë – të pinë shumë ujë, të qëndrojnë në hije gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të kërkojnë kujdes mjekësor nëse nuk ndihen mirë.
Ku ndodhet mali Etna dhe a është i rrezikshëm?
Mali Etna ndodhet në bregun lindor të ishullit italian të Sicilisë.
Është vullkani më aktiv në Evropë dhe ka kaluar një periudhë veçanërisht aktive gjatë pesë viteve të fundit.
Edhe pse mali Etna shpërthen shpesh, llava nuk ka arritur në qytetet e afërta që nga vitet 1800.
Etna ka më shumë se 200 kratere dhe kur një prej tyre shpërthen, hiri i zi vullkanik zbret në qytetin e Catanias, dhe në shumë qytete dhe fshatra përreth.
Kjo është e papërshtatshme për banorët, por zakonisht nuk është problem për vizitorët.
Edhe gjatë një shpërthimi, ka shumë shtigje ecjeje që janë të sigurta, megjithëse është një kërkesë ligjore të ngjitesh me një udhërrëfyes të kualifikuar lokal malor.