Presidenti i PL-së Ilir Meta, e ka cilësuar mosvotimin në zgjedhjet e Himarës për qytetarët që i ka skaduar karda e ID, si një krim të shëmtuar elektoral të kryeministrit Edi Rama.
Me një postim në rrjetet sociale, Meta u shpreh se u përjashtuan mbi 6 mijë qytetarë nga e drejta e votës.
“Përjashtimi i qëllimshëm antikushtetues i 6157 qytetarëve të Bashkisë së Himarës nga e drejta e votimit, me preteksin e skadimit të dokumentave të identifikimit është një krim i shëmtuar elektoral i Edi Ramës në funksion të grabitjes së zgjedhjeve. Shtimi në listat e votimit të qindra qytetarëve nga bashki të tjera, ndryshimi i programuar i qendrave të votimit, ndarja preferenciale për qëllime elektorale të titujve të pronësisë, zbarkimi i të gjithë makinerisë së narkoshtetit në Himarë, me banditë, presione, shantazhe dhe para të pista janë akte mafioze antiligjore që akuzojnë rëndë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe SPAK që mbron krimet e tij elektorale.”
Meta shkruan se aktet që synojnë që të shkatërrojnë zgjedhjet e lira duhet që të dënohen.
“Duke dënuar me forcë aktet që synojnë të shkatërrojnë standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Himarë, u bëj thirrje të gjithë himariotëve të vrapojnë në këto orë të mbetura drejt qendrave të votimit për të mbrojtur Himarën dhe ndëshkuar grabitësit e tokave të tyre”, tha ai.