Pasi fitoi zgjedhjet në Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo i PS-së ka shpallur fitoren e tij dhe ka shprehur mirënjohjen ndaj banorëve të Himarës, Lukovës dhe Horë-Vranisht në një postim ne facebook.
Tavo ka theksuar se do të përmbushë premtimet e programit të tij dhe do të punojë për të avancuar interesat e komunitetit të tij.
Ai është angazhuar të udhëheqë me përkushtim dhe të krijojë një bashki që përfshin të gjithë banorët, pavarësisht nga preferencat politike.
Tavo theksoi rëndësinë e zhvillimit të përbashkët dhe harmoni me të gjitha grupet e komunitetit, duke e bërë Himarën një model për bashkëjetesë dhe avancim të përbashkët.
Ai ka shprehur falenderime për Kryeministrin Edi Rama dhe ekipin e tij për mbështetje dhe përkushtim në zhvillimin e Himarës.
Ai ka ftuar z. Petro Gjikuria të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe unitetit në këtë periudhë të re për Himarën.
Tavo ka shprehur besimin se Himara do të ecë përpara me zhvillim dhe begati, duke theksuar se kjo është një mundësi për të përmirësuar jetën e çdo banori në këtë rajon të bukur.
“𝗦𝗢𝗧 𝗙𝗜𝗧𝗢𝗜 𝗛𝗜𝗠𝗔𝗥𝗔!
Të nderuar banorë të Himarës, njësive administrative Lukovë dhe Horë-Vranisht, e të të gjithë fshatrave pa asnjë dallim,
Ju jam thellësisht mirënjohës që më dhatë besimin tuaj për të drejtuar Bashkinë Himarë. Ky besim do përkthehet në punë dhe në përmbushje të gjithë pikave të programit tim, për të cilat edhe ju më votuat.
Unë do drejtoj duke shërbyer, do punoj duke vënë interesat tuaja mbi çdo gjë, e do jem kryebashkiaku i përkushtuar ndaj gjithësecilit prej jush, si votuesve të mi ashtu edhe asaj pjese që nuk më votoi, sepse Himara është e pandarë, sepse zhvillimi që na pret përpara për Himarën nuk është i fragmentuar por një dhe i tërë. Sepse ngjyrat politike janë individuale ndërsa e ardhmja është e përbashkët dhe komunitare. Dhe, vetëm kështu, të pandashëm nga bindjet dhe ndasitë, në bashkëjetesë e harmoni të plotë, ne do e çojmë përpara Himarën, në paqe dhe begati.
Himara është e himarjotëve dhe himarjotët meritojnë të jetojnë ashtu siç duan: në liri, harmoni e bashkëjetesë me të gjitha realitetet në Himarë, duke ecur përpara krah për krah në të mirën e komunitetit dhe mirëqenien e çdo familje.
Së bashku ne do kemi një Himarë demokratike, bashkëkohore, evropiane, multikulturore, të zhvilluar e të begatë, me rritje të një ekonomie që ndikon drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të thjeshta. Një Himarë që do tërheqë investime në turizëm, shërbime, infrastrukturë, kulturë, e të tjera. Një Himarë gjithëpërfshirëse që i takon vetëm banorëve, një popull me histori unike e të lavdishme, krenare për të parët dhe vlerat e rralla që ka.
Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për Kryeministrin Edi Rama i cili më propozoi dhe besoi te unë me vullnetin dhe dashamirësinë e tij të plotë për t’i dhënë Himarës normalitet dhe mbështetje edhe më të madhe për të ecur përpara e për t’u zhvilluar, ashtu siç e meriton. Për ta bërë Himarën kryefjalën e bashkëpunimit dhe harmonisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, duke lënë pas në të shkuarën kapitullin e mbyllur të para 4 gushtit, e që nga sot, duke parë përpara drejt një të ardhme më përbashkuese dhe evropiane.
Falenderoj strukturat e PS, çdo anëtar të ekipit tim të afërt por edhe mbështetës në distancë, çdo komisioner e vëzhgues, dhe cilindo që kontribuoi që i gjithë procesi zgjedhor të ishte i rregullt dhe demokratik.
Ju falenderoj nga zemra e ju jam tejet mirënjohës.
Në përfundim, dua të përsëris atë që e kam thënë vazhdimisht përpara datës së votimit, se, fjala ime është një kontratë publike për mbajtjen e premtimeve. Kësisoj, jo më si kandidat, por tashmë zyrtarisht si Kryetar i Bashkisë Himarë, unë e ftoj z. Petro Gjikuria të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë. Jam i vetëdijshëm që kjo është e paprecedentë në historinë zgjedhore të tre dekadave të fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, e nis unë i pari me shembullin konkret të bashkëpunimit dhe bashkimit që meriton kjo bashki.
Nëse z. Gjikuria ka vendosur të qëndrojë e jetojë në Himarë unë e mirëpres të pranojë e t’i bashkohet programit tonë për Himarën dhe himarjotët. E ka ftesën e hapur për të kontribuar me ide dhe energji për të ecur përpara. Sepse Himara është e të gjithëve.
Në mbyllje ju shpreh edhe një herë mirënjohjen time e ndihem thellësisht i privilegjuar e i nderuar që do ju shërbej si Kryetar i Bashkisë së Himarës.
Ju faleminderit.
Sot fitoi HIMARA”, u shpreh për më tepër Tavo.