Lulzim Basha i ka drejtuar Sali Berishës disa pyetje në lidhje me reagimin e këtij të fundit pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë Himarë.
Basha e pyet Berishën se pse me Ramën nuk bëhen zgjedhje kur arritën marrëveshje për amnistinë dhe mbylljen e listave.
“Nëse me Ramën nuk ka zgjedhje, pse “revolucioni” u kthye në pazar për amnistinë dhe mbylljen e listave?!
Kur me Ramën nuk ka zgjedhje, pse bashkove votat për amnistinë duke liruar hajdutët e votave të PD?!
Nëse me Ramën nuk ka zgjedhje, pse e shkatërrove komisionin e Reformës Zgjedhore dhe hodhët në koshin e plehrave rakomandimet e OSBE/ODHIR?!’- shkruan Basha.
Mbrëmjen e sotme, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur nga dritarja për të personat e mbledhur poshtë shtëpisë së tij tha se Himara ishte prova e fundit se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira.
“Miqtë e mi, mbrëmë vonë u mbyll farsa e shëmtuar zgjedhore në Himarë, në të cilën Edi Rama shpalosi të gjithë mekanizmat e ekzekutimit të votës pa votuar, pa rënë në kuti.
Duke falënderuar të gjithë ata votues, qytetarë që votuan për opozitën, unë i deklaroj sot popullit opozitar se Himara duhet të jetë prova jonë e fundit.
Himara duhet të jetë thirrja për çdo qytetar shqiptar se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira”-deklaroi Berisha.