Papa Françesku ka thënë se leximi i romaneve dhe poezive është i vlefshëm në “rrugën e dikujt drejt pjekurisë personale” dhe duhet të inkurajohet në trajnimin e priftërinjve të ardhshëm.
Romancierët CS Lewis dhe Marsel Proust si dhe poetët TS Eliot dhe Paul Celan u cituan nga kreu i kishës katolike në një letër të shkruar më 17 korrik dhe të botuar në tetë gjuhë të dielën.
Në letër, Françesku zbuloi shijet e tij personale letrare. “Unë, nga ana ime, i dua tragjedianët, sepse ne të gjithë mund t’i përqafojmë veprat e tyre si tonat, si shprehje të dramës sonë personale,” shkroi ai. “Duke qarë për fatin e personazheve të tyre, ne në thelb po qajmë për veten tonë, për zbrazëtinë, mangësitë dhe vetminë tonë.”
Françesku tha se letërsia shpesh mendohet si një “art i vogël” – thjesht një formë argëtimi – dhe konsiderohet e panevojshme për edukimin e priftërinjve të ardhshëm. Ai e quajti këtë qasje “të pashëndetshme”, duke shtuar se mund të çojë në “varfërim serioz intelektual dhe shpirtëror” të priftërinjve dhe duke bërë thirrje për një “ndryshim rrënjësor të kursit”.
Ai vlerëson se “të paktën disa” seminare i janë përgjigjur “fiksimit me “ekranet” dhe me lajmet e rreme toksike, sipërfaqësore dhe të dhunshme” duke i kushtuar vëmendje letërsisë.
Midis 1964 dhe 1965, kur Françesku ishte 28 vjeç, ai dha mësime letërsie në një shkollë jezuite në Santa Fe, Argjentinë. “Kam dhënë mësim dy vitet e fundit të shkollës së mesme dhe duhej të sigurohesha që nxënësit e mi të studionin El Cid,” shkroi ai. “Studentët nuk ishin të lumtur; ata pyesnin nëse mund të lexonin në vend të tyre García Lorca. Kështu vendosa që ata të mund të lexonin El Cid në shtëpi dhe gjatë mësimeve të diskutoja për autorët që u pëlqenin më shumë studentëve”.
Ai shkroi se nuk ka “asgjë më kundërproduktive” sesa të lexosh diçka nga “ndjenja e detyrës”, duke bërë “përpjekje të konsiderueshme thjesht sepse të tjerët kanë thënë se është thelbësore”.
Letra përmend një sërë përfitimesh të leximit, duke përfshirë rritjen e fjalorit, stimulimin e imagjinatës dhe krijimtarisë, përmirësimin e përqendrimit, reduktimin e rënies njohëse dhe ankthit, dhe aftësimin e lexuesit për t’u përgatitur dhe “të përballet” me një sërë situatash. Françesku shkroi gjithashtu se një libër i mirë “mund të sigurojë një oaz që na mban nga zgjedhje të tjera që janë më pak të shëndetshme”.
Një përfitim tjetër i letërsisë është se ajo na lejon ta shohim jetën nga këndvështrimi i të tjerëve, duke i lejuar lexuesit të zhvillojnë një “ndjeshmëri imagjinative”, shkruan ai. “Nuk duhet të harrojmë kurrë se sa e rrezikshme është të ndalojmë së dëgjuari zërin e njerëzve të tjerë kur ata na sfidojnë! Menjëherë biem në izolim; ne hyjmë në një lloj ‘surdhimi shpirtëror’, i cili ndikon negativisht në marrëdhënien tonë me veten dhe në marrëdhënien tonë me Zotin, pavarësisht se sa teologji apo psikologji mund të kemi studiuar.”