Vendosni fjalën kyçe....

Petro Gjikuria: Vangjel Tavo do i shërbejë Ramës, zgjedhjet u fituan me metoda antidemokratike


Kandidati i opozitës për Bashkinë Himarë, Petro Gjikuria,  ka reaguar sërish pas humbjes së pësuar në zgjedhjet e pjesshme ditën e djeshme.

Gjikuria thotë se kjo ishte vetëm një nga betejat të cilët do vijojnë në të ardhmen.

“Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himariotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë”- shkruan Gjikuria.

Gjikura thotë se në zgjedhje u panë metoda antidemokratike në të gjitha stadet dhe se rezultati sipas tij ishte produktut i transformimit të listës së zgjedhësve.

Gjikuria thekson se këto zgjedhje prodhuan një kryebashkiak që do u shërbejë interesave të kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste.

“Në këto zgjedhje pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre. Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin. Qëllimi ishte patja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë fushatë elektorale për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon”-shkruan Gjikuria.