Vendosni fjalën kyçe....

Projekti madhor kinez që sinjalizon thellimin e lidhjeve të Pekinit me Turqinë


Njoftimi se gjigandi kinez i makinave BYD do të ndërtojë një fabrikë me vlerë miliarda dollarësh në Turqi shënon një kthesë të madhe në marrëdhëniet midis dy vendeve. Njoftimi vjen pas vitesh tensionesh për shkak të mbështetjes së Ankarasë për pakicën ujgure në Kinë.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, të dy vendet po gjejnë gjithnjë e më shumë gjuhë të përbashkët, jo vetëm për çështje ekonomike, por edhe ato diplomatike.

Në muajin korrik, gjigandi kinez i makinave BYD nënshkroi një marrëveshje për të ndërtuar një fabrikë me vlerë miliarda dollarësh në Turqi.

Fabrika do të prodhojë 150,000 automjete në vit, kryesisht për tregun e Bashkimit Evropian.

Analistët thonë se marrëveshja shënon një pikë kthese në marrëdhëniet turko-kineze.

“Kjo marrëveshje mund të ulë deficitin tregtar të Turqisë. Për Kinën, marrëveshja është gjithashtu e rëndësishme sepse produktet e prodhuara në Turqi do të përjashtohen nga tarifat për faktin se Turqia ka marrëveshje me Bashkimin Evropian për doganat”, thotë Sibel Karabel, drejtoreshë e departamentit të Azi-Paqësorit në Universitetin ‘Gedik’ në Stamboll.

Analistët thonë se plani për këtë fabrikë është një mënyrë për të shmangur tarifat e reja të BE-së për automjetet kineze. Ata thonë se investimi i ri është gjithashtu shenjë e një ndryshimi në politikën e Pekinit pas viteve të shmangies së investimeve në Turqi.

Investime kineze nuk ka në Turqi sepse Kina e sheh Turqinë si një vend me rrezik të lartë politik në rajon”, thotë Ceren Ergenc, ekspert për Kinën i Qendrës për Studimin e Politikave Evropian.

Kjo po ndryshon tani dhe disa pjesëtarë të pakicës ujgure janë të shqetësuar që Turqia po i braktis.

Ankaraja ka qenë kritike ndaj shtypjes që Pekini i bëri minoritetit kryesisht mysliman të ujgurëve. Turqia u ka ofruar strehim shumë ujgurëve. Analistët thonë se disidentët ujgurë kanë frikë që investimi kinez prej miliarda dollarësh në Turqi mund të ketë qenë pjesë e një marrëveshjeje që është arritur gjatë vizitës së realizuar së fundmi të ministrit të jashtëm turk Hakan Fidan në Kinë.

“Ka spekulime se pala kineze po bën trysni për ratifikimin e marrëveshjes për ekstradim duke kërkuar që ujgurët e strehuar në Turqi, të paktën disa prej tyre, të kthehen për tu përballur me gjyqe në Kinë”, thotë Cagdas Ungor nga Universiteti i Marmarës.

Të tjerë thonë se ndryshimi i politikave të Kinës ndaj Turqisë, vend anëtar i NATO-s, mund të jetë pjesë e një gare në rritje, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara, për ndikim global.

Analistët thonë se Ankaraja dhe Pekini po gjejnë gjithashtu gjuhë të përbashkët diplomatike, duke përfshirë edhe kritikat ndaj luftës së Izraelit kundër Hamasit.

“Nëse e shikoni çështjen e Gazës momentalisht, Turqia dhe Kina kanë qëndrim të ngjashëm. Politikat e tyre të jashtme janë të ngjashme duke qenë shumë më ndryshe se ato të vendeve të perëndimit. Edhe në nivelin rajonal, Kina duket të jetë një partner shumë më i mirë se sa vendet e perëndimit”, thotë analisti Cagdas Ungor.

Ankaraja e përshëndeti pritjen që Pekini iu bëri udhëheqësve palestinezë gjatë muajit korrik. Lufta e Izraelit ka rrezik të përshkallëzohet dhe analistët thonë se kjo mund ta afrojë edhe më shumë Kinën me Turqinë./VOA