Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Beqaj, seanca e ardhshme në 7 gusht


Është shtyrë sërish seanca gjyqësore për Ilir Beqajn. Seanca e radhës do të mbahet më datë 7 gusht në orën 13:00.

Beqaj kërkoi ndryshim të masës së sigurisë, nga arrest në burg në arrest shtëpie, me garanci pasurore pesë milionë lekë të reja.

Sot në Apelin e Gjykatës së Posaçme u mbajt seanca për ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe 6 të tjerë të akuzuar për çështjen e SASPAC. Beqaj dhe 6 të akuzuarit e tjerë kanë apeluar masat e sigurisë dhe kërkojnë zëvendësim mase. Beqaj mbahet nën masën e ‘arrestit me burg’ nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kujtojmë që Beqaj u arrestua më datë 4 korrik nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nën dyshimet për një skemë korrupsioni me fondet e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj (SASPAC).

Beqaj dha dorëheqje si kreu i Agjencisë sapo iu ndaluan udhëtimet jashtë vendit dhe iu kërkua të paraqitej rregullisht pranë SPAK-ut lidhur me hetimet mbi koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Në këtë çështje ai akuzohet për shpërdorim detyre si ish ministër i Shëndetësisë.