Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali: Urime kryetarit të ri të Bashkisë, populli i Himarës tregoi kulturë të lartë politike


Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka uruar Vangjel Tavon për fitoren e tij në zgjedhjet e Himarës.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali thekson se populli i Himarës ka treguar një kulturë të lartë politike dhe demokratike gjatë procesit zgjedhor.

Ajo përgëzon Tavon për fitoren dhe qytetarët e Himarës për kulturën e treguar në zgjedhje.

Spiropali gjithashtu nënvizon se fushata ishte e qetë dhe përmbushi standardet e një shoqërie demokratike.

Postimi i plotë:

”Zgjedhjet në Himarë përfunduan. Populli i Himarës foli, zgjodhi, dëshmoi atë që dihej dhe pritej: një kulturë të lartë politike, qytetare e demokratike.

E rëndësishme është që fushata dhe procesi ishin të qetë, të rregullt, me standardet e një shoqërie demokratike të një vendi anëtar të NATO-s, që përparon me shpejtësi drejt BE-së, të një vendi lider në rajon, që konsolidon pareshtur vlerat dhe institucionet e demokracisë liberale.

Urime të përzemërta Kryetarit të ri të Bashkisë, kolegut dhe mikut Vangjel Tavo, për fitoren. Punë të mëdha të presin, i merituar Kryetar, për progresin dhe mirëqenien e njësive administrative Himarë, Lukovë dhe Horë-Vranisht, të të gjithë himarjotëve, pa dallim.

Përgëzime qytetarëve të Bashkisë Himarë për kulturën e lartë qytetare, tolerante, patriotike dhe demokratike’‘, shkruan Spiropali.