Vendosni fjalën kyçe....

Incidenti me Vjosa Osmanin në aeroportin e Shkupit, Presidenca : Keqardhje mënyra se si u trajtua në konferencën e Kurtit e Mickoskit


Presidenca e Kosovës ka vlerësuar se është për keqardhje mënyra se si u trajtuar incidenti në Aeroportin e Shkupit, në konferencën për medie të kryeministrit Albin Kurti me homologun e tij maqedonas Hristijan Mickoski.

Sipas Presidencës ajo i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Kosovës.

“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Kurti, në këtë konferencë ka thënë se hollësitë e rastit do të zbardhen nga raporti zyrtar që do të hartohet.

“Pa dyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes Vjosa Osmani me 2 gusht në aeroportin e Shkupit aq më tepër që ka qenë me familje dhe me dy vajzat e vogla. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do të zbardhë këtë çështje në tërësi dhe hollësi, edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten kurrë më situatat e tilla”, ka deklaruar Kurti.

Por në reagimin e Presidencës thuhet se “raportet për incidentin e paprecedentë në Aeroportin e Shkupit të përgatitura nga Presidenca dhe Policia e Kosovës janë tashmë të finalizuara dhe të qasshme, dhe kanë qenë tash e sa ditë”.

“Nga këto raporte kuptohet qartë se nuk ka kërkesë për devijim ose anashkalim të rregullave, por përkundrazi, respektim dhe aplikim të konventave dhe të së drejtës ndërkombëtare zakonore, e mbi të gjitha, respekt për Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Tutje në reagim thuhet se Presidenca e vlerëson shprehjen e keqardhjes nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, por theksohet se institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, në të cilën u kërkuan sqarime sa më të shpejta dhe të plota për incidentin në Aeroportin e Shkupit në të cilin u përfshi presidentja Vjosa Osmani.

“Përderisa e vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por përkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë. Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

Javën e kaluar nga Presidenca bënë të ditur se Vjosa Osmani është përballur me provokime të autoriteteve gjatë kalimit në aeroportin e Shkupit. Sipas tyre, asaj në kundërshtim me rregullat i është kërkuar që të skanojë telefonin. Autoritetet në Maqedoni u arsyetuan se procedurat e ndjekura janë standarde dhe se të njëjtat aplikohen ndaj të gjithë udhëtarëve, përfshirë edhe atyre që përdorin zonën VIP. /Koha.net/