Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Konispol, ku një 69-vjeçar ka vrarë me sëpatë gruan e tij pas një konflikti.
Ngjarja ndodhi rreth orës 07:00, në fshatin Shalës. Në konflikt është përfshirë dhe djali shtetasi me inicialet K. I., rreth 40 vjeç. Ky i fundit pas konflikteve me babanë e tij pak pas ngjarjes, ka rrëzuar babanë e tij, i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.
NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 07:00, në fshatin Shalës, Konispol, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, shtetasi H. I., 69 vjeç, ka vrarë me mjet prerës (dyshohet sëpatë) bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. I., 66 vjeçe.
Më pas, shtetasi H. I. dyshohet se është konfliktuar me djalin e tij, shtetasin K. I., rreth 40 vjeç, i cili e ka shtyrë shtetasin H. I. nga shkallët e banesës. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi H. I. ka humbur jetën në vendngjarje.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Konispol, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të autorit të dyshuar, shtetasit K. I.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.