Vendosni fjalën kyçe....

Banka e Shqipërisë nuk e ndryshon normën bazë, Sejko për mikrokreditë: Kemi zbatuar ligjin


Ekonomia shqiptare po përjeton ditë të mira, inflacioni po bie duke lënë pas goditjet e 2022-2023, por situata mund të ndryshojë nga rritja e shpejtë e pagave për të mbajtur punonjësit në punë, për shkak të mungesave të mëdha për staf që ka tregu aktualisht.

Kjo nuk do të lejonte ulje të çmimeve, përkundrazi mbajtjen lart të inflacionit, pasi rriten kostot e biznesit. Për këtë arsye Banka e Shqipërisë ka lënë të pandryshuar normën bazë të interesit në 3%.

“Qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste mbështetet si nga kërkesa solide për mallra e shërbime, ashtu edhe nga rritja relativisht e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit. Vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste”, tha Sejko.

Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni do të kthehet në objektiv prej 3% në gjashtëmujorin e parë të 2025-ës, ndërsa aktualisht është në 2.1%. Guvernatori Sejko tha se inflacioni ka rënë për dy arsye kryesore.

“Rënia e inflacionit të importuar ka pasqyruar si ndikimin e forcimit të kursit të këmbimit, ashtu edhe rënien e inflacionit në partnerët tanë tregtarë”, tha Sejko.

Në deklaratë guvernatori Sejko i është rikthyer përsëri çështjes së mikro kredive duke ritheksuar se kanë marrë vendimet në bazë të ligjeve.

“Ai ka marrë gjithnjë vendime në interes të së mirës publike të vendit dhe të shoqërisë, ka monitoruar me vëmendje dhe në përputhje me mandatin ligjor zbatimin e detyrave të ngarkuara, si dhe është njohur rregullisht me raportimet e njësive organizative të Bankës, përfshi edhe ato të mbikëqyrjes bankare. Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës mbeten të gatshëm të mbështesin në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet”, tha guvernatori.

Sa i takon kursit të këmbimit, guvernatori theksoi se ka qenë i qëndrueshëm pasi Banka ka blerë valutë në treg.

“Kursi i këmbimit ka qenë relativisht i qëndrueshëm gjatë muajve të fundit, duke pasqyruar, ndër të tjera edhe një nivel më të lartë blerjesh valute në treg nga Banka e Shqipërisë”, tha Sejko.

Këtë të mërkurë një euro po këmbehet mesatarisht me 100.17 lekë, duke regjistruar shifra historikisht të ulta, ndërsa një dollar këmbehet me 91 lekë.