Vendosni fjalën kyçe....

FSHF bllokoi merkaton e tre klubeve të Superiores, ja lojtarët dhe shumat që duhet të paguajnë


Tiranës, Dinamos dhe Laçit i është bllokuar dje merkatoja (ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj) për tri periudha deri në pagesën e detyrimeve që kanë, pas vendimeve të formës së prerë të komisioneve ligjore në FSHF.

Shkak këtë herë është bërë mospërmbushja e detyrimeve për kuotën e trajnimit ndaj klubeve bazë, që vazhdon të jetë makth për futbollin shqiptar. Mësohet se Teuta, Apolonia dhe akademia “Studenti” në kryeqytet kanë fituar gjyqet. “Panorama Sport” ka arritur të zbulojë detyrimet që duhet të shlyejnë tashmë Tirana, Dinamo dhe Laçi, respektivisht për Studentin, Teutën dhe Apoloninë, por gjithashtu edhe emrat e të rinjve që bëhet fjalë. Kemi të bëjmë me taksën e Kompensimit për Trajnim, e cila nuk është paguar nga këto klube për periudhën kur lojtarët janë stërvitur në skuadrat e mëparshme.

TIRANA – Bëhet fjalë për mesfushorin Hajrulla Tola. Klubi bardheblu i detyrohet akademisë së futbollit, “Studenti”, ku i riu ka qenë deri në vitin 2020. Pasi është paditur në FSHF, tani Tirana duhet të shlyejë te “Studenti” për formimin e Tolës rreth 20 milionë lekë të vjetër.

LAÇI – I detyrohet klubit të Apolonisë për dy lojtarë: mbrojtësin Arlind Kurti dhe mesfushorin Olsi Myrta. Klubi fierak ka fituar gjyqin dhe pret të marrë nga kurbinasit rreth 62 milionë lekë të vjetër.

DINAMO – I detyrohet klubit të Teutës dhe bëhet fjalë për portierin Rajan Guçi dhe sulmuesin Dejvi Duro. Mësohet se shuma shkon rreth 22 milionë lekë të vjetër, që duhet të derdhen në llogarinë e durrsakëve.

VENDIMET E DISIPLINËS

 KF Laçi, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 1 dhe 2, datë 23.04.2024 të Komisionit të Posaçëm të Kompensimit për Trajnim, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.

– FC Dinamo City, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 3 dhe 4, datë 30.05.2024 të Komisionit të Posaçëm të Kompensimit për Trajnim, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.

– KF Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 13, datë 19.02.2024 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.

– Pranimin e kërkesës së kërkuesit Niko Zisi. KF Lushnja 1930, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 15, datë 19.03.2024 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin./PanoramaSport.al