Vendosni fjalën kyçe....

MPJD konfirmon mbërritjen në Kosovë të trupit të pajetë të Faton Hajrizit


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bëri të ditur se ka arritur në Kosovë trupi i pajetë i shtetasit të Kosovës, Faton Hajrizit, që u vra në Lloznicë të Serbisë.

“Pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij”, tha MPJD në njoftim.

Një ditë më herët, MPJD-ja njoftoi se Prokuroria e Qarkut të Beogradit kishte dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të Hajrizit. Ky institucion tha se avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, dhe ambasadori Jetish Jashari, po kryenin procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë.

Hajrizi u vra nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik.

Ai ishte arratisur nga një burg në Kosovë më 6 korrik dhe u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Më 23 korrik, Arianit Koci, avokat nga Kosova, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ishte autorizuar nga familja Hajrizi për t’u angazhuar në procedurat e tërheqjes së trupit nga Serbia.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi në korrik se dorasi i dyshuar i policit u vra në vendin e quajtur Banja Kovilaça, pasi autoritetet serbe kishin qenë në kërkim të tij që nga vrasja e policit.

Sipas tij, ai ishte fshehur buzë lumit Drina, duke kërkuar një mënyrë për ta kaluar atë.

Serbia ka kërkuar që Gjermania të ekstradojë vëllain e Fatonit, Artanin, pasi në vendin e ngjarjes, u gjetën dokumente në emër të tij.

Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij. Artan Hajrizi është paraqitur para autoriteteve në Gjermani – ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën në Gjermani. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani./REL