Rrjeti ABC tha të enjten se kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe rivalja e tij demokrate Kamala Harris, do të debatojnë me 10 shtator në këtë rrjet, ndërsa zoti Trump tha se dëshiron të shtojë dy debate të tjera atë muaj në rrjetet Fox dhe NBC.
ABC News will host qualifying presidential candidates to debate on September 10 on ABC. Vice President Harris and former President Trump have both confirmed they will attend the ABC debate. https://t.co/jaHStOmGCD pic.twitter.com/62P2lCNJjd
— ABC News (@ABC) August 8, 2024
Në një konferencë për shtypin në rezidencën e tij në Palm Beach të Floridës, zoti Trump tha se donte debate edhe me 4 dhe 25 shtator. Ai nuk dha hollësi nëse do të kishte një audiencë dhe nuk ishte menjëherë e qartë nëse fushata e tij i kishte bërë një propozim kampit të zonjës Harris.
Fushata e nënpresidentes amerikane nuk bëri ndonjë koment të menjëhershëm mbi dëshirat e zotit Trump, ndërsa është pajtuar me debatin e planifikuar për datën 10 shtator.
“Dëgjova se Donald Trump më në fund është zotuar të debatojë me mua me 10 shtator. Pres me padurim”, shkroi të enjten në rrjetin X, nënpresidentja Harris.
I hear that Donald Trump has finally committed to debating me on September 10.
I look forward to it.
— Kamala Harris (@KamalaHarris) August 8, 2024
Ish presidenti Trump kishte sugjeruar më parë se ai mund të tërhiqej nga debati në rrjetin ABC, i cili ishte planifikuar përpara se zonja Harris të zëvendësonte presidentin Joe Biden si kandidate presidenciale, më pak se tre javë më parë.
Konferenca e sotme ishte paraqitja e parë publike e zotit Trump që kur zonja Harris zgjodhi të martën guvernatorin e Minesotës Tim Walz, si kandidat të saj për postin e nënpresidentit.
Zonja Harris dhe zoti Walz kanë mbajtur tubime në Pensilvani, Miçigan dhe Wisconsin këtë javë, duke tërhequr dhjetëra mijëra pjesëmarrës, në një shenjë të re se si përfshirja e saj e vonshme në garë, ka ngjallur demokratët.
Ngritja e saj e shpejtë ka bërë që ekipi i zotit Trump të përpiqet të riorganizojë strategjinë dhe mesazhet e tij. Anketat tregojnë se zonja Harris ka fshirë epërsinë që zoti Trump kishte shënuar ndaj presidentit Joe Biden dhe demokratët kanë grumbulluar qindra miliona dollarë nga votuesit dhe donatorët e mëdhenj brenda disa javësh.
I pyetur të enjten se si e ka ndryshuar qasjen e tij përballë sfidës së re nga zonja Harris, zoti Trump këmbënguli se nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Në një seancë pyetje-përgjigjesh me gazetarët, që zgjati më shumë se një orë, Zoti Trump kaloi nga tema në temë, duke pretenduar se zonja Harris dhe zoti Walz janë kandidatë të dobët që tashmë po binin në anketa.
Pavarësisht kësaj, ai u ankua q nuk është në gjendje të përballet me zotin Biden në zgjedhje, duke sugjeruar se presidenti ishte viktimë e një komploti kundër kushtetues për ta larguar atë nga maja e Partisë Demokratike.
Presidenti Biden hoqi dorë nga gara nën trysninë e kolegëve demokratë të shqetësuar për shanset e tij për fitore në zgjedhjet e 5 nëntorit, pas një debati të dobët kundër zotit Trump.
Ish presidenti Trump gjithashtu u tall me numrin e pjesëmarrësve në fushatën e zonjës Harris, ndonëse tubimet e saj janë krahasuar së fundmi me tubimet e tij. Ai pretendoi në mënyrë të rreme se madhësia e turmës së cilës iu drejtua më 6 janar të vitit 2021, ditën kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin, ishte po aq sa ajo që mbushi Parkun Kombëtar në Uashington për fjalimin e Dr. Martin Luther Kingut në vitin 1963 “I Have a Dream”.
“Ne në fakt kishim më shumë njerëz”, tha zoti Trump. “Por, në rregull, sepse më pëlqente Dr. Martin Luther Kingu”.
Duke i bërë jehonë një kritike të kohëve të fundit nga fushata e tij, zoti Trump kritikoi zonjën Harris se nuk ka dhënë asnjë intervistë për shtypin që nga fillimi i fushatës së saj.
Zoti Trump ka dhënë një varg intervistash në media, megjithëse ato zakonisht janë miqësore me të dhe me prirje të djathtë. Të mërkurën, ai mori pjesë në programin e mëngjesit “Fox & Friends”.
Zonja Harris dhe zoti Walz u takuan me punëtorët e prodhuesve të makinave në Detroit të enjten, pasi morën mbështetjen e sindikatës së tyre, si pjesë e një përpjekjeje për të mobilizuar punëtorët në shtetet thelbësore të betejës elektorale.
Fushata e zonjës Harris anuloi tubimet të enjten në Karolinën e Veriut dhe të premten në Xhorxhia, ku stuhia tropikale Debby po sjell shira të dendur dhe përmbytje të rrezikshme. Demokratët do të shkojnë në Arizona dhe Nevada më vonë këtë javë, duke vizituar dy shtete të tjera që mund të luajnë një rol thelbësor në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Kandidati republikan për postin e nënpresidentit, senatori JD Vance nga Ohajo, gjithashtu anuloi veprimtaritë e fushatës në Karolinën e Veriut të enjten për shkak të stuhisë. Ai i ka kaluar ditët e fundit duke ndjekur zonjën Harris dhe zotin Walz në të gjithë vendin, një lëvizje e pazakontë që synon të sigurojë një “kontrast”, u tha ai gazetarëve të mërkurën./VOA