Vendosni fjalën kyçe....

Divjakë/ Krushku sulmon me breshëri automatiku banesën e vjehrrit të djalit, arrestohet nga policia


Një krim në familje është parandaluar nga Policia e Fierit, teksa shënjestrat e sulmit i ndihmoi vetëm fati nga plumbat e parë të qitur prej agresorit.

I dyshuari Petraq Sotiri, nga fshati Karavasta e Re e Divjakës, u prangos nga uniformat blu, pak momente pasi lëshoi breshëri automatiku në drejtim të banesës së vjehrrit të djalit të tij, në një konflikt të dyshuar dhe të vazhdueshëm mes palëve. Krimi ndodhi në fshatin Havaleas.

Policia vendore konfirmoi ngjarjen dhe njoftoi se sekuestroi armën e krimit. Denoncimi për sulmin ishte bërë nga vetë pronari i shtëpisë pas plumbave që shkaktuan vetëm dëme materiale dhe panik.

 

Policia e Fierit në njoftimin zyrtar për ngjarjen shprehet:

Në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Divjakë, dhe falë inteligjencës policore u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: P. S., 63 vjeç, banues në fshatin Karavasta e Re, Divjakë”.

Dhe më tej detajon dinamikën dhe rrethanat, duke shtuar se “ky shtetas dyshohet se pas konflikteve të vazhdueshme familjare me vjehrrin e djalit të tij, ka qëlluar drejt banesës së këtij të fundit me automatik duke kanosur atë dhe familjarët”.

Uniformat blu ushtruan edhe kontroll në banesën e 63-vjeçarit, ku sekuestruan armën automatike dhe një sasi municioni luftarak. Hetimet janë ende aktive, teksa po sqarohen motivet e përplasjeve mes dy familjeve me krushqi, pasi nuk jepen detaje nëse shkak ka qenë ndonjë divorc i fëmijëve të dy protagonistëve të konfliktit.