Vendosni fjalën kyçe....

Kurti takon Mjeshtrin e Madh Zef Çobën: Hekurdha Prishtinë-Durrës do të bashkonte qytetet emblatike Gjakovë-Shkodër


 “Ky ishte çasti i duhur që të flasim për hekurudhën Prishtinë-Durrës në zemër të së cilës do të ishte segmenti Gjakovë-Shkodër.

T’i bashkojë këto dy qytete emblematike të kombit tonë edhe më shumë sesa këngët, e t’i shijojnë më shpejt e më afër njëra-tjetrës pasuritë e mëdha kulturore-artistike si dhe vlerat kombëtare e historike që të dyja i bartin”, shkruan Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në rrjetet sociale, ndërsa ka takuar mjeshtrin e madh, Zef Çoba.

Kurti shkruan se Shkodra është një qytet që e inkurajon dhe inspiron artistin.

 “Gjuha e kultura, traditat e moçme dhe pasuritë natyrore, janë përbërës që formësojnë veprat artistike e që frymojnë edhe përmes muzikës.

Mjeshtri i madh Zef Çoba, jo vetëm që ka kontribuar në mozaikun e këngëve aq të dashura shkodrane, por edhe ka kompozuar simfoni e himne bashkëkohore kombëtare.

Të tilla janë “Xhamadani Vija-Vija” si dhe kënga “Atdheut”, e cila vjen si një urim vëllazëror i Shkodrës për Kosovën në vitin 2009, me rastin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e që reciton edhe vargje të Gjergj Fishtës: “Zoti n’qiell e na mbi tokë, me gjithken’ vllazën e shokë.”

Në shtëpinë-studio të tij, mes udhëtimeve në kujtesën e historive, të përvojave e përjetimeve, kënaqësi të dëgjosh edhe për ndërthurjen e këngëve mes Kosovës e Shqipërisë, si në rastin mes Gjakovës e Shkodrës, të cilat jo pak herë miqësisht kanë mospajtime mbi autorësinë se ku përkasin disa këngë të caktuara”, shkruan Kurti.