Vendosni fjalën kyçe....

Një rus i jep Shqipërisë medaljen e parë në Lojërat Olimpike


Mundësi Chermen Valiev ia ka dalë t’i sjellë Shqipërisë medaljen e parë Olimpike në histori.

25-vjeçari mundi 6-2 rivalin nga Taxhikistani, Viktor Rassadin, në stilin e lirë për peshën deri në 74 kilogramë, duke fituar medaljen e bronztë në finalen e vogël. 

Në duelin e 1/8, Valiev kaloi të premte 4-3 me përmbysje rivalin azer Turan Bayramov. Në çerekfinale, 25-vjeçari s’ia doli të mbante avantazhin e fituar në raundin e dytë, duke u penalizuar nga dy ndëshkimet me karton të verdhë dhe në fund kundërshtari uzbek Jamalov Razambek fitoi 6-5.

Mundësi ynë ishte në garë ditën e shtunë në Lojërat Olimpike që zhvillohen në Francë, për një medalje bronzi dhe arriti t’ia dalë të triumfojë si fillim me rusin Kadzimahamedau (12-2) dhe më pas me Viktor Rassadin (6-2), duke sjellë medaljen e parë historike për vendin tonë.

Chermen Akhsarbekovich Valiev ka lindur më 10 dhjetor 1998 në Osetinë e Veriut në Rusi dhe aktualisht është një mundës i stilit të lirë që garon në 74 kilogramë për Shqipërinë.

Për vendlindjen e tij, Rusinë, Valiev ka fituar një titull kampion bote dhe një Evropian për U23, një kampion kombëtar rus dhe është fitues i shumëfishtë medaljeve të arit në turnetë ndërkombëtare.

Që nga transferimi në Shqipëri në vitin 2024, Valiev u kualifikua për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike Verore 2024 në Paris duke u renditur i treti në Turneun Olimpik Botëror të Kualifikimit.