Vendosni fjalën kyçe....

Mali i Thatë ende në flakë, drejtori Arben Cara: Pritet ndërhyrje nga ajri


Zjarri që ka kaluar nga Maqedonia e Veriut dhe ka prekur Malin e Thatë vazhdon të jetë aktiv. Ai ka djegur një sipërfaqe prej 150-200 hektarësh, kryesisht kullotë, me vetëm një pjesë të vogël që ka prekur kurorën e gjelbër. Forcat janë angazhuar që nga ora 05:30 e mëngjesit për të menaxhuar situatën.

Në terren janë mbi 80 forca nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri, Forcat e Armatosura, Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura dhe shërbimi pyjor.

Prefekti i qarkut të Korçës dhe drejtori i Përgjithshëm për Mbrojtjen nga Zjarri janë gjithashtu të pranishëm. Ndërhyrja nga ajri është siguruar me helikopterin Cougar dhe dy avionë nga Maqedonia, dhe pritet të vazhdojë ditën e nesërme. Objektivi kryesor është të mos preket bimësia e lartë dhe të izolohet perimetri i flakëve.

Në një deklaratë për media të dhënë ditën e sotme, drejtori i përgjithshëm i DPMZSH, Arben Cara, pas inspektimit të zjarrit të në këtë vend ka treguar se vatra e zjarrit vijon të jetë ende aktive, por me përmasa jo shumë të mëdha.

Sipas tij, më herët është bërë ndërhyrje nga ajri dhe është arritur që të shuhet njëra nga vatrat aktive të zjarrit, ndërsa shton se forcat operacionale do të mbërrijnë në vendin e ngjarjes, ku do të na japin dhe një informacion më të detajuar që të vemë në lëvizje përsëri helikopterin, dhe për ta mbajtur nën kontroll situatën.

Situata vazhdon me vatrën e zjarrit aktive prej 5 ditësh, edhe pse kemi ndërhyrë nga toka dhe ajri, duke qenë se shtrirja është me një perimetër shumë të gjatë, mbetet aktive por me përmasa jo shumë të mëdha.

Ajo çfarë na bën të vazhdojë është se kemi të bëjmë me një sipërfaqe shkurre, ferra, bar të thatë, të cilën është e pamundur ta menaxhosh me mjete rrethanore dhe për këtë arsye, dje kemi aktivizuar helikopterin “coogar” i cili ka punuar për një kohë të gjatë dhe ka bërë të mundur mbylljen e një vatre zjarri me perimetër goxha të gjerë.

Presim dhe ditën e sotme sipas situatës, pasi forcat operacionale të mbërrijnë në vendin e ngjarjes, ku do na japin dhe një informacion më të detajuar që të vemë në lëvizje përsëri helikopterin, dhe për ta mbajtur nën kontroll situatën.

 

Ditën e sotme që në orët e para të mëngjesit kemi aktivizuar rreth 80 forca operacionale nga MZSH, tre bashkitë Korçë, Maliq, Pogradec, në ndihmë të bashkisë Pustec pranë zjarrfikësve të Pustecit, forca operacionale nga ushtria, agjencia e zonave të mbrojtura, forca të emergjencave civile të cilat aktualisht janë duke shkuar tek vatra e zjarrit e cila kërkon të pakten një kohë minimumi prej tre orësh në këmbë.

 

Pasi forcat operacionale të dislokohen, të shohin situatën në vendin e ngjarjes, do të na japin një informacion të detajuar sa i përket zhvillimit të kësaj vatre dhe më pas do merret një vendim nëse do të kërkohet një ndërhyrje e specializuar nga ajri ashtu si edhe ditën e djeshme e kemi bërë, apo është e mundur të lokalizohet brenda ditës së sotme deri në orët e vona të darkës.

Nëse era do të na favorizojë që të mos jetë aktive gjatë ditës, situata e zjarrit mund të ndërpritet dhe mali i Prespës mos preket nga vatra e zjarrit.

 

Nëse era do ta favorizojë është e mundur që zjarri mund të depërtojë në Prespë e cila është dhe zonë e mbrojtur, por drejtuesit e strukturave operacionale do të bëjnë vlerësimin në mënyrë që të aktivizojnë ndërhyrjen nga ajri që zjarri mos depërtojë në malin e Prespës pasi do të na krijonte probleme më të mëdha sa i përket lokalizimit dhe menaxhimit të saj,- shprehet drejtori Arben Cara.