Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Hoxha inspektim në vijën bregdetare nga Himara në Sarandë: Asnjë tolerim për ndotësit e ujërave apo mjedisit


Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, së bashku me drejtorin e forcave të Policisë Kufitare të Vlorës dhe të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit inspektuan vijën bregdetare nga Himara deri në Sarandë, për të parë nga afër zbatimin e masave për rritjen e parametrave të sigurisë detare.

“Siguria detare dhe siguria mjedisore mbeten primare në punën e Policisë së Shtetit, krahas sigurisë publike dhe sigurisë rrugore”, nënvizoi ministri Hoxha.

Ai theksoi se nëse një nga këto katër komponetë të shfaqë probleme, dëmtohet gjithë ecuria dhe mbarëvajtja e sezonit.

“Policia Kufitare Vlorë ka 17 njësi me efektivë të trajnuar dhe mjete lundruese, që operojnë gjatë gjithë vijës bregdetare, për parandalimin e ngjarjeve, për parandalimin e ndotjes së mjedisit.

Kemi ushtruar kontrolle në vazhdimësi, tek operatorët privatë apo ata që janë të certifikuar dhe ushtrojnë aktivitetin ekonomik në këtë zonë. Ka patur edhe paligjshmëri që janë ndëshkuar. Kontrollet do të vijojnë deri në fund të sezonit turistik”, u shpreh Drejtori i Policisë Kufitare Vlorë, Eduard Sulejmani.

Drejtuesi rajonal i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Astrit Bilibashi tha se koordinohet puna me çdo agjenci dhe Policinë e Shtetit, dhe shkelësit janë proceduar dhe u është hequr licenca.

Ministri i Brendshëm kërkoi nga autoritetet ti kushtojnë vëmendje të veçantë kushteve të lundrimit, kapaciteteve të lundrimit si dhe vendeve të ankorimit dhe imbarkimit të pushuesve, për të shmangur çdo incident me pasoja.

“Jam këtu për t’ju mbështetur në punën tuaj, për të bërë çmos që kushtet e punës, mjetet, pajisjet ti keni në dispozicion dhe të ndiheni të motivuar”, u shpreh ministri Hoxha.