Policia e Pogradecit ka arrestuar Spartak Çelën, i cili ishte në kërkim prej katër vjetësh për një ngjarje të rëndë në Velçan të Mokrës.
Çela, 39 vjeç, u kap në fshatin e tij pas informacioneve operative që treguan se ai ishte rikthyer në banesën e tij.
Ngjarja për të cilën akuzohet Çela ndodhi më 21 gusht 2020, kur ai, i dehur, shkoi në një lokal ku ndodheshin pesë persona dhe qëlloi me një kallashnikov në drejtim të tyre, duke plagosur Bledi Shahinin.
Konflikti kishte filluar më parë gjatë një konsumimi alkooli dhe më pas, Çela kishte shkuar në shtëpi për të marrë armën.
Arrestimi i Çelës është realizuar nga policia e Pogradecit në mënyrë të menjëhershme pas rikthimit të tij në Velçan.
Ndaj Çelës, i cili ishte në kërkim kombëtar, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë i ka caktuar dy herë masën e sigurisë në mungesë “Arrest në burg,” për veprat penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë,” “Vjedhje me armë,” “Prodhim, shitje dhe mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake,” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë.”
Njoftimi i policisë:
Pogradec/ Vijojnë kontrollet intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i Ligjit”.
Kapet dhe ndalohet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Korçë, një 39-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim kombëtar dhe i akuzuar për 4 vepra penale.
Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat e DVP Korçë, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i Ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “FOUR.”
Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja e të kërkuarit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit S. Ç., 39 vjeç, banues në fshatin Buzaishtë, Pogradec.
Gjykata e Shkallës së Parë Korçë i ka caktuar dy herë masën e sigurisë në mungesë “Arrest në burg,” për veprat penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë,” “Vjedhje me armë,” “Prodhim, shitje dhe mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake,” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë.”
Në datën 20.08.2020, ky shtetas, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. Sh.
Në datën 25.04.2024, shtetasi S. Ç., pasi është konfliktuar me shtetasin V. I., 54 vjeç, banues në Tiranë, nën kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka tentuar t’i marrë atij dy aparate celularë dhe një orë dore.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.