Turqia rivendosi aksesin në platformën Instagram pasi kompania ra dakord të bashkëpunonte me autoritetet në heqjen e postimeve nëse ato përmbajnë elemente të krimeve të caktuara ose “propagandë terroriste”, tha Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Abdulkadir Uraloglu në Rrjetin X.
Uraloglu theksoi se kompania mëmë e Instagramit, Meta, ka rënë dakord të respektojë ligjet turke dhe të sigurojë heqjen efektive të postimeve nëse ato përmbajnë elemente të krimeve të caktuara ose “propagandë terroriste”.
“Si rezultat i negociatave tona me zyrtarët e Instagram-it, ne do të heqim bllokimin e aksesit pasi ata premtuan të punojnë së bashku për të përmbushur kërkesat tona në lidhje me krimet në katalog dhe censurën e vendosur ndaj përdoruesve”, tha ai.
Turqia bllokoi aksesin në platformën e mediave sociale më 2 gusht për moszbatim të “ligjeve dhe rregullave” të vendit dhe ndjeshmërisë publike.
Ndalimi nëntëditor shkaktoi protesta nga përdoruesit dhe bizneset e vogla që arrijnë te klientët përmes kësaj platforme.
Turqia renditet e pesta në botë për përdorimin e Instagramit, me më shumë se 57 milionë përdorues, pas Indisë, Shteteve të Bashkuara, Brazilit dhe Indonezisë, sipas të dhënave nga platforma Statista.