Vendosni fjalën kyçe....

Vatra zjarri në Bashkinë Prrenjas, digjen edhe dy shtëpi të vjetra


Gjatë fundjavës, Bashkia Prrenjas është përballur me një numër të madh vatrash zjarri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Gjashtë vatra zjarri janë evidentuar në fshatrat e Njësisë Administrative Qukës dhe Njësisë Administrative Rrajcë, ku më i rëndë është ai i shfaqur në fshatin Bardhaj, në mesditën e Dielë.

Në Bardhaj, zjarri ka shkatërruar një masiv pyjor, një parcelë me shkurre dhe dy shtëpi të vjetra. Edhe pse shërbimi zjarrfikës i Prrenjasit ka ndërhyrë menjëherë, terreni i vështirë dhe kushtet ekstreme, përfshirë erën e fortë dhe temperaturën e lartë, kanë penguar përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Fillimisht, zjarri ka shpërthyer në “Lagjen e Vaskut”, 25 km larg qendrës së qytetit të Prrenjasit, ku asnjë automjet nuk mund të hyjë. Flakët kanë përfshirë një kodër me barë të thatë dhe pemë frutore, duke shkatërruar dy shtëpi të vjetra dhe duke rrezikuar disa të tjera.

Forcat zjarrfikëse kanë punuar pa ndalim për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt masivit pyjor të ahut në Rrajcë, që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Mungesa e hidranteve në rrugët që çojnë në masivet pyjore po ndikon në ritmet e punës së shërbimeve të mbrojtjes nga zjarri.

Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi Prrenjas apelon për parandalimin e zjarreve dhe evitimin e dëmeve në pyje dhe kullota.