Sot, në Ditën Botërore të Rinisë, Elisa Spiropali, ka shpërndarë një mesazh të rëndësishëm për median.
Spiropali u shpreh se kjo ditë u është dedikuar mbi një miliard vajzave dhe djemve që përbëjnë rreth 16% të popullsisë globale.
Spiropali thekson rëndësinë e investimeve në mbështetje të talenteve rinore dhe inkurajon promovimin e start-up-eve dhe iniciativave rinore që kontribuojnë në ekonominë dhe botën digjitale.
Në mesazhin e saj, Spiropali bën një thirrje për median për të shpërndarë dhe promovuar modele të rinjsh që janë të ditur, punëtorë dhe qytetarë të denjë, në vend të modeleve të jetës boshe dhe falsitetit.
Ajo vë në dukje rëndësinë e nxënësve dhe studentëve të apasionuar pas dijeve, si dhe vajzave dhe djemve që ndjekin me dinjitet mundësitë e tregut të punës.
“Sot është Dita Botërore e Rinisë, dedikuar mbi një miliard vajzave e djemve që përbëjnë rreth 16 përqind të popullsisë së globit. Prej 25 vjetësh, 12 gushti ka hyrë në kalendarin botëror si një ditë reflektimesh, angazhimesh e mundësish për të rritur kujdesin, zgjeruar aksesin dhe nxitur pjesëmarrjen e brezit të ri në zhvillim e mirëqenie.
Tema e kësaj Dite për vitin 2024 “Shtigjet digjitale drejt një të ardhmeje të qëndrueshme”, përkon edhe me politikat tona për rininë dhe ambicjet e guximshme të vajzave e djemve të Shqipërisë drejt sfidave të teknologjisë e informacionit. Sot është dita të mendojmë, punojmë e investojmë më shumë për mbështetjen ligjore, institucionale e financiare të talenteve, nismave e sipërmarrjeve rinore në ekonominë, shërbimet dhe botën digjitale, ku ka hyrë vitet e fundit Shqipëria.
Në këtë Ditë, një thirrje kam për median: Në vend të modeleve të jetës boshe, zvetënimit e falsitetit, jepini vend e pasqyroni modelet e të rinjve të ditur, punëtorë, protagonistë, qytetarë të denjë, njerëz të vërtetë, që me talent ndërtojnë jetën e tyre dhe kontribuojnë për Shqipërinë!
Talentet e start-up-eve, ekselentët që kthehen nga universitetet e huaja për t’i shërbyer Shqipërisë, nxënësit e studentët e apasionuar pas dijeve, por edhe vajzat e djemtë që bëjnë me dinjitet punët e thjeshta që u ofron tregu janë modelet që duhet të ndiqen.”