Vendosni fjalën kyçe....

Flakët gjigante vazhdojnë të kërcënojnë Atikën verilindore në Greqi


Zjarri që shpërtheu pasditen e djeshme në zonën e Varnavasit vazhdon të përhapej në Atikë. Erërat shumë të forta, me intensitet 7 dhe 8 Beaufort, kanë kontribuar në krijimin e një fronti zjarri më shumë se 20 kilometra të gjatë.

Sipas informacionit nga Shërbimi i Zjarrfikësve, përpjekjet për të shuar zjarin janë shumë të vështira për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme të drejtimit të erërave. Aktualisht, janë aktivë tre frontet kryesore të zjarrit në zonat e Grammatikos, Pentelit dhe Anatolit në Nea Makri.

Për shuarjen e zjarrit, janë angazhuar 560 zjarrfikës dhe 16 grupe komando pyjore me 177 automjete. Gjithashtu, po përdoren 32 mjete ajrore, përfshirë 17 avionë dhe 15 helikopterë, të cilët po spërkasin ujë nga ajri.

Për shkak të përhapjes së zjarrit, rreth orës 5 të mëngjesit janë evakuuar vendbanimet Nea dhe Palaia Penteli. Më vonë, janë dhënë urdhra për evakuimin e vendbanimeve Drafi, Dioni, Damarasi, Rafina, Dau Penteli, Agios Spiridon dhe Anatoli Nea Makri. Po ashtu, janë evakuuar spitalet e fëmijëve të Pentelit, Spitali Ushtarak 414, manastiri i Shën Efraimit në Anatoli dhe manastiri i Pentelit.

Policia greke ka zhvendosur dhjetëra persona nga zonat e rrezikuara dhe ka apeluar qytetarët të respektojnë udhëzimet e dhëna për evakuim dhe të mos afrohen në zonat e prekura nga zjarri me automjetet e tyre.

Një zjarrfikës ka mbetur i plagosur në Maratonë dhe është dërguar fillimisht në qendrën mjekësore Nea Makri dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm Ajror 251, me djegie të shkallës 2 në duar dhe këmbë./AlphaTv.Gr