Mbi 18 mijë bimë kanabisi janë asgjësuar në qarkun e Shkodrës në kuadër të operacionit të koduar “Territori i pastër”.
Policia e Shkodrës informoi sot se janë asgjësuar konkretisht 11637 bimë e 6832 fidanë kanabisi si dhe sekuestruan 10.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa në proces tharjeje.
Opracioni antikanabis është ndërmarrë në Vaun e Dejës, në Fushë Arrëz, në Malësi të Madhe dhe në Theth.
Në Vaun e Dejës është kapur në flagrancë, një 24-vjeçar, si dhe është proceduar penalisht një 57-vjeçar, autorë të dyshuar të 2 rasteve të kultivimit. Procedohen penalisht, për shpërdorim të detyrave, 3 kryetarë fshatrash dhe 2 specialistë pyjesh.
Polici publikoi dhe pamjet e aksionit antikanabis në këto zona.
“Qarku Shkodër/
Vijojnë kontrollet dhe hetimet proaktive, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Territor i pastër”.
Si rezultat, në të gjithë territorin e qarkut, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, asgjësuan 11 637 bimë dhe 6832 fidanë narkotikë cannabis sativa, si dhe sekuestruan 10.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa në proces tharjeje.
Në Vaun e Dejës është kapur në flagrancë, pas një hetimi me metoda proaktive, një 24-vjeçar, si dhe është proceduar penalisht një 57-vjeçar, autorë të dyshuar të 2 rasteve të kultivimit.
Procedohen penalisht, për shpërdorim të detyrave, 3 kryetarë fshatrash dhe 2 specialistë pyjesh.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejes gjetën dhe asgjësuan 300 bimë narkotike cannabis sativa. Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i kultivimit të 86 bimëve në këtë zonë, shtetasi K .P., 24 vjeç. Gjithashtu, u identifikua dhe u procedua në gjendje të lirë, autori i dyshuar i një rasti tjetër kultivimi në Vaun e Dejës, shtetasi A. P., 57 vjeç. Më tej, nisi procedimi në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës, për kryetarin e fshatit Mnelë e Madhe, shtetasin Z. B..
-Shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë Arrëz asgjësuan 6832 fidanë narkotikë të mbjellë në kubikë dhe 1280 bimë narkotike në proces tharjeje, si dhe sekuestruan 10.5 kg të kësaj lënde narkotike, gjithashtu në proces tharjeje. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit Y. S., kryetar i njësisë administrative Fierzë dhe A. M., specialist pyjesh në këtë njësi.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 4407 bimë narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit Gj. Gj., kryetar i fshatit Bratosh dhe L. B., specialist pyjesh në këtë fshat.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe ato të Stacionit të Policisë Theth gjetën në territoret e njësive administrative Shosh, Pult dhe Postribë, dhe asgjësuan 5650 bimë dhe fidanë narkotikë cannabis sativa.
Në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon intensivisht puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të këtyre rasteve”, njofton policia.