Delegacioni që përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” ka mbërritur në Tiranë. Kreu i KOKSH, Fidel Ylli, sportistët medalistë Islam Dudaev dhe Chermen Valiev, si dhe trajnerët e tyre përkatës kanë zbritur nga avioni të buzëqeshur.
Ata u pritën nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me një ceremoni të dedikuar, tapet të kuq dhe lule. Në dalje të aeroportit, qindra tifozë ishin prezent për të pritur dy kampionët kuqezi. Në fjalën e tyre, dy sportistët e bënë të qartë se kërkojnë medalje të arta për vendin tonë.
Kujtojmë se për herë të parë Shqipëria siguroi dy medaljet e para Olimpike, ato të bronzta në mundje me Valiev dhe Dudaev. Pas 52 vitesh nga pjesëmarrja e parë në Olimpiadë (Munich 1972), Shqipëria siguron medalje në ngjarjen e madhe sportive botërore.
Fidel Ylli, kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar foli pas mbërritjes së delegacionit kuqezi nga “Paris 2024”.
Këta sportistë janë ambasadorët më të mirë të Shqiëprisë dhe ky është një mesazh për Kuvendin dhe qeverinë që të bëjnë më shumë. Synimi ynë ishte një medalje Olimpike dhe ia dolëm. Dua t’i falenderoj të gjithë për kontributin e tyre”, tha Fidel Ylli.
Ndërkohë që dy sportistët kuqezi, Valiev dhe Dudaev thanë se vitet e ardhshme synojnë t’i sjellin Shqipërisë medalje të arta.
“Faleminderit Shqipërisë, e kam në zemër”, tha Valiev, që shtoi entuziazmin te tifozët.
Islam Dudaev kërkon medaljen e artë.
“Jam shumë i lumtur, do Zoti në herën tjetër medalje të artë për Shqipërinë”, tha Dudaev.