Vendosni fjalën kyçe....

Vidhnin bagazhet e pasagjerëve, arrestohet një punonjës i aeroportit në Rinas dhe procedohet një tjetër


Policia Kufitare e Rinasit ka zbatuar një plan të posaçëm për të parandaluar dhe goditur vjedhjet e sendeve me vlerë nga bagazhet e pasagjerëve.

Gjatë kontrolleve intensive, janë arrestuar në flagrancë shtetasi L. Z., 19 vjeç, dhe është proceduar penalisht shtetasi M. S., 24 vjeç, të dy punonjës bagazhesh në aeroport.

Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar 1250 euro dhe bizhuteri të dyshuara si të vjedhura. Materialet e rastit janë dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.

Pas hekurave ra Leidjon Zeneli dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi Mehmet Sula.

NJOFTIMI I POLICISE
PKK Rinas/Policia Kufitare, plan të detajuar masash për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të vjedhjes së sendeve me vlerë, nga bagazhet e pasagjerëve. Si rezultat i kontrolleve intensive, Policia Kufitare ka vënë në pranga njërin prej autorëve të dyshuar të vjedhjeve dhe ka nisur procedimi penal për tjetrin, të dy punonjës bagazhesh në aeroport.

Sekuestrohen një shumë eurosh dhe bizhuteri, të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve. Në zbatim të një plani të posaçëm masash, të hartuar nga Policia Kufitare e PKK Rinas, me qëllim parandalimin e rasteve të vjedhjes së sendeve me vlerë nga bagazhet e pasagjerëve dhe zbardhjen e rasteve të kryera më parë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas kanë konstatuar pranë kontenierëve ku ndërrohen punonjësit e bagazheve, njërin nga punonjësit, shtetasin L. Z., teksa fshihte bizhuteri të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve.

Më tej, është kryer kontroll në hapësirën ku mbanin sendet personale, shtetasi L. Z. dhe punonjësi tjetër i bagazheve, shtetasi M. S.. Aty janë gjetur 1250 euro dhe bizhuteri të tjera, të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve.

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja”, shtetasi L. Z., 19 vjeç, dhe është proceduar në gjendje të lirë, për të njëjtën vepër penale, shtetasi M. S., 24 vjeç, të dy banues në Krujë.

Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove dhe bizhuteritë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Policia Kufitare e Rinasit apelon për të gjithë pasagjerët, që për arsye sigurie, paratë dhe sendet me vlerë t’i mbajnë në çantat e dorës, jo në bagazhet e stivës, pasi kompanitë ajrore nuk mbajnë përgjegjësi për to.

Gjithashtu, fton të gjithë pasagjerët që të denoncojnë te punonjësit e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në njësinë fizike të Policisë së Rinasit dhe në numrin pa pagesë 112, çdo indicie që kanë për këtë paligjshmëri dhe për çdo paligjshmëri tjetër. Reagimi i Policisë për parandalimin dhe goditjen e tyre do të jetë i menjëhershëm.