Të paktën tre mediave amerikane iu ofruan materiale të brendshme të fushatës së ish-Presidentit Donald Trump, përfshirë një raport të përgatitur për JD Vance ndërsa shqyrtohej kandidatura e tij për nënpresident. Deri tani, asnjëra nga mediat nuk ka pranuar të japë detaje mbi materialet e rrjedhura. Është e paqartë se cili është burimi i tyre.
Politico, New York Times dhe Washington Post kanë raportuar për një sulm të mundshëm kibernetik ndaj ekipit elektoral të zotit Trump, por kanë folur vetëm në përgjithësi për materialet që u kanë rënë në dorë.
Vendimet e tyre editoriale janë në kontrast të thellë me ato të fushatës presidenciale të vitit 2016, kur një haker rus ekspozoi komunikimet me email të menaxherit të ekipit të kandidates së atëhershme demokrate Hillary Clinton, John Podesta. Faqja e internetit Wikileaks i bëri publike emailet që e vinin në pozitë të vështirë ekipin e zonjës Clinton dhe organizatat kryesore të lajmeve nxituan menjëherë t’i botonin ato.
Faqja Politico konfirmoi gjatë fundjavës se kishte marrë emaile duke filluar nga 22 korriku nga një person i identifikuar si “Robert”, ku përfshihej një dokument fushate prej 271 faqesh lidhur me zotin Vance dhe një raport të pjesshëm mbi Senatorin Marco Rubio, i cili po shqyrtohej gjithashtu si kandidat i mundshëm për nënpresident.
Si Politico ashtu edhe Washington Post thanë se dy persona kishin konfirmuar në mënyrë të pavarur se dokumentet ishin autentike.
“Ashtu si shumë dokumente të ngjashme për verifikimin (e kandidatëve), ato përmbanin deklarata nga e kaluara që mund të ekspozonin apo dëmtonin zotin Vance, si për shembull komentet e tij që godisnin figurën e zoti Trump”, shkruan New York Times lidhur me raportin për zotin Vance.
Pikëpyetje për autorin e rrjedhjes së informacionit
Është e paqartë se kush ia ka dhënë materialet shtypit. Politico tha se nuk e di se cili është dërguesi me emrin “Robert” dhe se kur komunikoi me personin që mendohet të ketë ofruar informacionet, ai tha: “Ju sugjeroj të mos bëheni kuriozë, se nga i kam marrë ato.”
Ekipi i fushatës së zotit Trump tha se ishte bërë objekt i një sulmi kibernetik nga Irani. Ekipi nuk dha prova konkrete të përfshirjes së Iranit, por pretendimi erdhi menjëherë pasi firma Microsoft lëshoi një raport që detajonte përpjekjet e një njësie agjentësh të huaj për të komprometuar llogarinë e emailit të një ish-këshilltari të lartë të një kandidati presidencial. Raporti nuk përcaktonte se për cilin kandidat bëhej fjalë.