Vendosni fjalën kyçe....

Njerëzit e Shkëlzen Berishës pritet të marrin 20 milionë euro si pronarë të tokës tek Porti i Ri në Porto Romano


Shpronësimi i pronarëve të tokës ku do të ndërtohet Porti i ri i Durrësit nxjerr në shesh pronësinë e Familjes Berisha dhe sidomos njerëzve të afërt të Shkëlzen Berishës që zakonisht përdor për të hedhur pasuritë në emër të tyre.

Një javë më parë kryeministri i vendit Edi Rama duke prezantuar projektin e ri të portit industrial në Porto Romano tha se ai parashikon që për ndërtimin të disbursohen në fazën e parë 329 milionë euro. Ky port i ri u vendos të ndërtohej vetëm pasi qeveria vendosi të shndërrojë në kompleks turistik të vjetrin në Durrës.

Tashmë që ka nisur të investojë në Porto Romano, qeveria është e detyruar që të bëjë dhe shpronësime të tokave aty vërdallë portit të ri, për të krijuar kapacitete magazinuese dhe shërbimi.

Por ajo çfarë zbulon lista e pronarëve që do të shpronësohen në fazën e parë është tepër interesante. Në të përfshihen familjarë dhe taraf i ngushtë i familjes Berisha, persona të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë në punë e transaksione sidomos me zotin Shkëlzen Berisha, i biri i ish kryeministrit.

I pari person që bie në sy është Ismail Mulleti. Ky i fundit është një biznesmen dhe lidhje tepër e besuar e familjes Berisha.

Ismail Mulleti ka marrë një koncension në kohën e qeverisjes Berisha. Në shtyp janë ekspozuar disa transaksione dhe kontrata shit/blerje tokash në Porto Romano mes tij dhe zotit Shkëlzen Berisha.

Ismail Mulleti posedon 2 hektarë tokë në emrin personal në listën e shpronësimeve të portit të ri. Një sipërfaqe tjetër prej gjysmë hektari ai e posedon në emrin e kompanisë GFI.

Një tjetër emër që bien në sy në listë është zonja Shpresa Breçani, ajo është mbesa e ish-kryeministrit Berisha dhe posedon të paktën 1.6 hektarë tokë në zonën pranë Porto Romanos.

Biznesmeni Shkëlqim Beshiri, i njohur si “garanti te Berishajt” për emërimin e Adriatik Llallës si kryeprokuror, rezulton në listën e shpronësimeve me 602 metra katrorë pronësi.

Por ajo çka shfaqet më interesante në këtë listë është një kompani e quajtur “Stellar Real Estate”. Kjo kompani posedon vetëm në këtë listë të paktën 8 hektarë tokë.

Investigime të mëparshme mediatike kanë zbuluar se kjo kompani me pronar misterioz ka lidhje direkte biznesi dhe kontratash përfaqësimi me Shkëlzen Berishën dhe me Ismail Mulletin.

Kompania “Stellar Real Estate” është me pronarë ende të panjohur dhe e regjistruar në Gjibraltar.  

Në Tiranë filialin e administron një juriste e quajtur Entela Shehaj (Memishaj) e cila disa vite më parë u propozua nga Partia Demokratike si kandidaturë për postet vakante në sistemin e ri të drejtësisë, ajo si jurist ka punuar shumë pranë familjes Berisha së bashku me Erinda Ballancën.

Entela Shehaj rezulton gjithashtu ortake me Ismail Mulletin në kompaninë “IMAH 2014”, Shehaj posedon 10% në këtë kompani ndërsa Mulleti 45%.

Në vitin 2009 kompania “Stellar Real Estate” me një prokurë të posaccme autorizoi Shkëlzen Berishën që t’i gjente 5 hektarë tokë në këtë zonë.

Është ende e paqartë si dhe sa u pagua Shkëlzen Berisha për këtë mision, por I sigurt është fakti se ndërsa vepronte si agjent i Entela Shehajt ai ishte në këtë kohë dhe djali i kryeministrit të vendit dhe mund të kishte akses në planet afatgjata për zhvillimin industrial të kësaj zone.

Të gjithë këta personazhe të lidhur në mënyrë integrale me familjen Berisha i kanë përfituar këto toka mbi 15 vite më parë, ndërsa tani janë afro 20 hektarë të dokumentuar në pronësi të tyre.

Qeveria Rama ka përcaktuar një bazë çmimi prej 6 eurosh (kursi këmbimit 13 Gusht 2024) për metër katror në vendimin e shpronësimit, por ka lënë të hapur opsionin që nëse këta pronarë duan të këmbejnë metrat e tyre diku tjetër mund ta bëjnë.

Aktualisht çmimi për metër katrorë në këtë zonë është 100-125 euro për metër katrorë.  

Këta pronarë mund ta ankimojnë me lehtësi çmimin në gjykatë administrative për të kërkuar çmim tregu. Procesi është i thjeshtë pastaj, gjykatësi i kërkon hipotekës zyrtarisht se me çfarë çmimesh janë bërë transaksionet e tokave nga privatët dhe çmimin mesatar e përcakton si marzhë shpronësimi. Çmimi mesatar në këtë zonë është 100 euro për metër katrorë dhe me kaq territore sa përcakton kjo listë, pra rreth 20 hektarë të tarafit Berisha, llogaritet që ky grup të përfitojë rreth 20 milionë euro.  

Ndërkohë në listë janë dhe biznesmenë të njohur shqiptar që posedojnë territor në këtë zonë, ndërsa një hetim i thelluar mund të gjurmojë nëse dhe këta biznesmenë i kanë përfituar tokat nga marrëdhënia e shit-blerjeve me kompaninë real estate të Entela Shehajt apo nga marrëdhënia me Ismail Mulletin në të kaluarën.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Gazeta TemA