Vendosni fjalën kyçe....

Gazetarja Lala për vrasjen e Egli Progës: Nuk ka patur gjobëvënie, ka qenë konflikt i çastit


Gazetarja Klodiana Lala foli për vrasjen e ndodhur disa ditë më parë në Pogradec.

Lala thotë se ngjyrimi që ka marrë ngjarja ka qenë i panevojshëm, pasi sipas saj, nuk ka të dhëna që Egli Proga njihej me dhunuesin e tij Denis Meçe.

Në intervistën e dhënë për Euronews Albania, Lala tha se të gjitha të dhënat tregojnë se ka qenë një konflikt i çastit ai që më pas degradoi dhe çoi në rrahjen brutale që i mori jetën 42-vjeçarit.

Gazetarja thotë gjithashtu se nuk i rezulton nga asnjë burim policor se ka patur gjobvënie në drejtim të viktimës.

“Është një dramë e madhe që babai i dy fëmijëve del nga shtëpia për t’u nisur për në vendin e punës dhe lë dy fëmijë jetim nga disa njerëz të papërgjegjshëm e të pandëshkuar të cilët bëjnë ligjin në zonë.

Autori i dyshuar është njeri me rekorde të theksuara kriminale, familja e tij në tërësi është problematike.

Ajo që mua nuk më rezulton e konfirmuar në asnjë burim policor, është se nuk ka asnjë kërkesë apo një gjobëvënie në drejtim të viktimës.

Ka pasur një përplasje në lokal. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja dhe ata janë sharë me njëri-tjetrin, kanë dalë jashtë dhe Denis Meçe e ka goditur.

Në momentin që ka rënë ka pësuar edhe dëmtime të tjera të rënda”,-tha Lala.