Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku deklaroi sot në një konferencë për mediat se Durim Bami nuk është lënë i lirë në Dubai, por ndodhet në arrest shtëpie.
Sipas tij, për Bamin ka mbaruar afati i qëndrimit në paraburgim, ndaj edhe autoritetet kanë caktuar që ai të lihet në arrest shtëpie, nën mbikëqyrje policore.
Bami, një nga krerët e shtatë bandave të hetuara në dosjen voluminoze të mundësuar falë komunikimeve të kryera në aplikacionin Sky Ecc, u arrestua së fundmi në Dubai për llogari të autoriteteve shqiptare.
Durim Bami, 45 vjeç akuzohet për organizimin dhe porositjen e vrasjes të mbetur në tentativë të ish-deputetit Arben Ndoka, pasi ky i fundit organizoi një atentat ndaj tij në nëntor 2020.