Përfaqësuesit e grupit operacional të ADZM dhe autoriteteve vendore konfirmuan sot (14 Gusht) se zjarri i shpërthyer në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit është shuar. Pas tre ditësh përpjekjesh për të kontrolluar dhe fikur flakët, zjarri që filloi në zonën e “Majës së Çukës” dhe kërcënoi Teqenë e Kulmakut, është neutralizuar plotësisht.
Zjarri, që ra pasditen e të hënës (12 Gusht) rreth orës 14:00 në rrethin e Skraparit, shkrumboi dhe dëmtoi të paktën 15 hektarë kullota dhe drurë pishash. Aktualisht, po monitorohen dëmet në terren dhe po kontrollohet për ndonjë dru ende të nxehtë që mund të riaktivizojë vatrën e zjarrit. Po ashtu, janë hapur kanale të vogla për të parandaluar përhapjen e zjarrit në raste të ngjashme dhe për të mbrojtur kurorën e pishave dhe objektin e kultit.
Specialistët e zjarrfikëses theksuan se zona më e prekur ka qenë 8 hektarë, ku pjesa më e madhe ishin drurë të rrëzuar dhe sipërfaqe pa bimësi dhe pemë.